Alarmi për Hantavirusin tashmë bëhet serioz. Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmon se një transmetim nga njeriu te njeriu mund të ketë ndodhur në bordin e anijes turistike të goditur nga një shpërthim i hantavirusit që ka lënë tre persona të vdekur dhe disa të tjerë të sëmurë.
“Ne e dimë që disa nga rastet kanë pasur kontakt shumë të ngushtë me njëra-tjetrën dhe sigurisht që transmetimi nga njeriu te njeriu nuk mund të përjashtohet, kështu që si masë paraprake kjo është ajo që po supozojmë”, u tha gazetarëve Dr. Maria Van Kerhove, Drejtoreshë e OBSH-së për Përgatitjen dhe Parandalimin e Epidemive dhe Pandemive, shkruan A2.
Pothuajse 150 persona mbeten të bllokuar në anijen MV Hondius që aktualisht ndodhet pranë brigjeve të Afrikës Perëndimore.
Aktualisht, raportohet për dy raste aktive të hantavirusit. Hantavirusi zakonisht përhapet nga brejtësit nëpërmjet jashtëqitjeve, pështymës ose urinës së tyre. Mund të shkaktojë sëmundje të rënda të frymëmarrjes dhe deri më tani nuk ka një kurë konkrete. (A2 Televizion)