“Aleanca jonë, zgjedhje strategjike”. Kina dhe Rusia forcojnë lidhjet, Jinping pret Mishustin në Pekin

Nga Rosalba Bejdo
4 Nëntor 2025, 15:40 | Bota

“Aleanca jonë, zgjedhje strategjike”. Kina dhe Rusia

Konsolidimi i lidhjes Rusi–Kinë është një zgjedhje strategjike e bërë nga të dyja palët. Kështu u shpreh presidenti kinez Xi Jinping teksa priti në Pekin kryeministrin rus, Mikhail Mishustin. Ai tha se të dyja vendet janë të interesuara të zgjerojnë investimet dhe të thellojnë marrëdhëniet, pavarësisht “turbullirave të jashtme”, siç i cilësoi ai.

Kremlini ka vënë theksin te rëndësia e vizitës së Mishustinit, në një kohë kur Moska ndodhet nën sanksione të rënda nga Perëndimi për luftën në Ukrainë dhe po kërkon të frenojë ngadalësimin e tregtisë me Kinën kohët e fundit, shkruan A2 CNN.

Jinping tha se marrëdhëniet Rusi–Kinë kanë qëndruar në rrugën e duhur drejt zhvillimit, në një nivel dhe cilësi më të lartë, duke përparuar vazhdimisht pavarësisht një mjedisi të jashtëm të trazuar. “Ruajtja, konsolidimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve Kinë–Rusi është një zgjedhje strategjike për të dyja palët,” u shpreh ai.

Ai përmendi industri si energjinë, bujqësinë, ekonominë digjitale dhe hapësirën si fusha me potencial për zgjerim bashkëpunimi. Nga ana e tij, kryeministri rus tha se është e rëndësishme për të dy vendet të vazhdojnë krijimin e kushteve të favorshme për tërheqjen e investimeve dhe mbështetjen e projekteve të përbashkëta.

Xi Jinping dhe Vladimir Putin nënshkruan një marrëveshje për një partneritet “pa kufij” në shkurt 2022, pak ditë para se Moska të dërgonte dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë. Që prej atëherë, Rusia është mbështetur te Pekini për të zbutur impaktin e sanksioneve, duke zgjeruar tregtinë dhe bashkëpunimin energjetik.

Megjithatë, tregtia dypalëshe ka rënë muajt e fundit, teksa Kina përballet me trysni në rritje nga SHBA. Kompanitë shtetërore kineze pezulluan blerjet e naftës detare të Rusisë pas sanksioneve amerikane ndaj Rosneft dhe Lukoil. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos