Shkallët lëvizëse të ngecura dhe telepromteri i prishur nuk e penguan, por e frymëzuan për të sulmuar Kombet e Bashkuara. Presidenti amerikan, Donald Trump, doli në foltore për t’i treguar mbarë botës se kush komandon rendin global. “Lashë një botë të qetë dhe në paqe, por gjeta krizat më të mëdhaja ndonjëherë”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë. Trump përmendi sërish pretendimin se ndaloi 7 luftëra si presidenti, ndërsa akuzoi OKB se nuk po bën asgjë për të ndihmuar në këtë drejtim.
“Cili është qëllimi i Kombeve të Bashkuara? OKB-ja ka një potencial kaq të jashtëzakonshëm, por nuk e përdor atë. Gjithçka çfarë bëjnë është të shkruajnë një letër me fjalë të forta dhe pastaj të mos e ndjekin kurrë atë letër. Janë fjalë boshe dhe fjalët boshe nuk e zgjidhin luftën”, tha Trump.
Presidenti amerikan adresoi krizën në Lindjen e Mesme, duke kërkuar me urgjencë një armëpushim në rripin e Gazës, por rruga drejt paqes, sipas tij, nuk kalon nga njohja e Palestinës, shkruan A2 CNN.
“Si për të inkurajuar konfliktin e vazhdueshëm, disa anëtarë të këtij organi po kërkojnë të njohin në mënyrë të njëanshme një shtet palestinez. Shpërblimet do të ishin shumë të mëdha për terroristët e Hamasit për mizoritë e tyre. Ky do të ishte një shpërblim për këto mizori të tmerrshme. Në vend që t'u dorëzohen kërkesave të Hamasit për shpërblim, ata që duan paqe duhet të bashkohen me një mesazh: lironi pengjet tani”, tha presidenti amerikan.
Trump sulmoi ashpër Kinën dhe Indinë, por edhe Bashkimin Europian duke kërkuar që të ndërpresin menjëherë furnizimin me karburant nga Rusia, si mënyrën e vetme për të ndalur luftën në Ukrainë.
“Kina dhe India janë financuesit kryesorë të luftës përmes blerjes së naftës ruse. Disa europianë po bëjnë të njëjtën gjë. Ju jeni shumë më afër luftës. Ne kemi një oqean në mes. Europa po blen naftë dhe gaz nga Rusia ndërsa po luftojnë Rusinë. Ishte shumë e turpshme për ta kur mësova për këtë. Ata duhet të ndërpresin menjëherë të gjitha blerjet e energjisë nga Rusia. Përndryshe të gjithë po humbasim shumë kohë. Nëse Rusia refuzon të negociojë një marrëveshje paqeje, Shtetet e Bashkuara janë gati të vendosin sanksione dhe tarifa të reja, por që ato të jenë efektive, Bashkimi Europian dhe të gjithë ju të mbledhur këtu duhet të miratoni të njëjtat masa”, tha Trump.
Trump kërkoi edhe njëherë që t’i njihej merita për zgjidhjen e shumë konflikteve duke marrë Nobelin e Paqes. (A2 Televizion)