Rama: Kur fiton guri, shteti ka rënë

Nga A2 CNN
19 Tetor 2026, 08:18 | Politikë

Rama: Kur fiton guri, shteti ka rënë

Kryeministri Edi Rama, në një takim me Policinë e Shtetit, deklaroi se protestat e ditëve të fundit janë "valë dhune që nuk ka të bëjë me asnjë nga arsyet e një vendi demokratik për të kërkuar më shumë nga qeveria e për të pasur pakënaqësi".

"Erdha sërish me këtë me vete (mban një gur në dorë), sepse duhet ta mbash në dorë, ta peshosh, ta llogarisësh sa i shtohet pesha kur vjen në drejtimin e njerëzve nën uniformë dhe se çfarë mund të bëjë mbi këdo. Me këtë nuk negociohet. Me këdo që vë përpara këtë nuk negociohet sepse në momentin kur shteti negocion me këtë, ka rënë. Kur fiton ky atëherë logjika e këtij bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film më shumë se një herë dhe pasojat e tij janë plagë që duan vite të shërohen", tha Rama, shkruan A2.

"Të rinjtë e kësaj nuk duan paqe, por përmbysje. Janë të rinj të idealizuar nën frymëzimin e asaj force të errët e të re që është shfaqur në Europë, që Trump e ka shpallur organizatë terroriste. Kjo nuk do të thotë që vajzat dhe djemtë që mendojnë se jeta është TikTok dhe se me TikTok dhe pa lidhur dot shtatë fjalë bashkë mund ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, janë terroristë. Aspak! Janë studentë dhe studente? Po, patjetër. Janë nxënës dhe nxënëse? Po, patjetër. Por janë pengje të një fryme, të një ideologjie të re, e cila ka vetëm një mision: shkatërro, ktheje të gjithën përmbys, rrëno gjithçka. Bëje rrafsh se do ta fillojmë nga e para", shtoi kryeministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos