Vala e parë e madhe e të nxehtit këtë verë ka shkaktuar probleme serioze shëndetësore dhe ka çuar në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në disa zona të Amerikës së Veriut, ndërsa miliona njerëz përballen me temperatura përvëluese.
Në qytetin Paterson të New Jersey-t, më shumë se 150 persona u sëmurën gjatë një ceremonie diplomimi në natyrë të mbajtur të hënën. Kryetari i bashkisë, Andre Sayegh, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, duke urdhëruar mbylljen e aktiviteteve rekreative dhe hapjen e qendrave të ftohjes për qytetarët.
Në Uashington, gjashtë persona përfunduan në spital pas problemeve shëndetësore të shkaktuara nga nxehtësia gjatë një koncerti të grupit të famshëm korean ‘Stray Kids’. Incidenti është një prej shumë rasteve që po regjistrohen në të gjithë rajonin.
Temperaturat ekstreme janë përhapur nga rajonet e Midwest-it amerikan deri në Bregun Lindor, si dhe në pjesë të Kanadasë lindore, duke përfshirë provincat Ontario, Quebec dhe Nova Scotia. Parashikohet se më shumë se 160 milionë njerëz do të preken nga vala e nxehtësisë gjatë javës.
Ekspertët paralajmërojnë se përveç temperaturave të larta që arrijnë rekorde, niveli i lartë i lagështisë mund të përkeqësojnë gjendjen dhe të rrisin rrezikun për sëmundje serioze, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar, konsum të lartë të ujit, shmangie të qëndrimit në diell gjatë orëve të pikut dhe përdorim të qendrave të ftohjes për të shmangur rrezikun nga sëmundjet që lidhen me nxehtësinë. (A2 Televizion)