Amerika rikthehet në Hënë, lëshohet “Artemis 2”, 4 astronautë drejt satelitit të Tokës

Nga Rosalba Bejdo
2 Prill 2026, 14:35 | Bota

Katër astronautë u nisën nga Florida të mërkurën në misionin Artemis II të NASA, një udhëtim rreth Hënës që shënon hapin më të guximshëm të Shteteve të Bashkuara deri më tani drejt kthimit të njerëzve në sipërfaqen hënore në garën e ethshme me Kinën.

Raketa Space Launch System e NASA, e pajisur me kapsulën e ekuipazhit Orion, u ndez fuqishëm pak para perëndimit të diellit në Qendrën Hapësinore Kennedy të agjencisë në Cape Canaveral, duke transportuar ekuipazhin e tij të parë, tre astronautë amerikanë dhe kanadez, në orbitën e Tokës.

Mjeti hapësinor, i lartë sa një ndërtesë 32-katëshe, u ngrit me një gjëmim të fuqishëm drejt qiellit të pastër, duke lënë pas një kolonë të madhe avulli të bardhë dhe të dendur.

Administratori i NASA, Jared Isaacman, tha se ky është vetëm hapi i parë drejt misioneve të ardhshme, të cilat do të përfshijnë ndërtimin e një baze në Hënë.

“Sigurisht që është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm. Dua të them, ky është misioni i parë me ekuipazh në këtë mjedis pas më shumë se gjysmë shekulli, në një raketë që nuk ka transportuar kurrë më parë njerëz, së bashku me një anije kozmike. Prandaj është tepër i rëndësishëm, sepse nga ky mision do të mësojmë shumë gjëra që do të shërbejnë për të udhëhequr misionet e ardhshme.”

Nëse misioni zhvillohet sipas planit, ekuipazhi i përbërë nga astronautët e NASA Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, së bashku me astronautin e Agjencisë Hapësinore Kanadeze Jeremy Hansen, do të fluturojnë rreth Hënës dhe do të kthehen gjatë një ekspedite pothuajse 10-ditore, duke testuar në maksimum anijen ndërsa eksplorojnë më thellë në hapësirë se kurrë më parë.

Ky mision është fluturimi i parë me ekuipazh në kuadër të programit Artemis, pasardhës i projektit Apollo i epokës së Luftës së Ftohtë, dhe i pari në botë që dërgon astronautë në afërsi të Hënës, jashtë orbitës së Tokës, pas 53 vitesh.

Hera e fundit që astronautët ecën në Hënë, një arritje e shënuar deri më tani vetëm nga Shtetet e Bashkuara, ishte misioni i fundit Apollo në vitin 1972. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos