Apeli i frikshëm i shtetit balltik për banorët

Nga Erjon Dervishi
29 Maj 2024, 23:24 | Bota

Mijëra dronë potencialisht të rrezikshëm dhe të pajisur me raketa do të patrullojnë kufirin e NATO-s me Rusinë dhe Bjellorusinë. Ky është plani sekret i vendeve baltike, i bërë publik nga revista pretigjioze britanike “The Times”.

Presidenti i Letonisë, Edgar Rinkeviks, tha për “The Times” se si dronët e sofistikuar ashtu edhe ato të disponueshme do të monitorojnë gjithashtu edhe zhvendosjen e njerëzve: “Ne jemi kthyer në një farë mase atje ku bota ishte në ditët më të errëta të Luftës së Ftohtë dhe për këtë arsye muri i lartë i dronëve do t’i shërbente qëllimeve të caktuara mbrojtëse”.

Rinkevics ndodhet për një vizitë pune 3-ditore në Britani. Ai do të vizitojë fabrikën e dronëve, ku Ministria e Mbrojtjes lançoi strategjinë e re të dronëve në fillim të këtij viti. Rinkevics tha se Letonia po përgatitej për “skenarin më të keq” dhe se, përveç ndërtimit të infrastrukturës ushtarake në kufirin e saj, po u kërkonte civilëve t'i kthenin bodrumet e tyre në strehë kundër bombardimeve.

“Për të shmangur skenarin më të keq, duhet të jeni të përgatitur për të”, tha ai në mesazhin e tij për publikun.

Brenda NATO-s ka frikë se nëse Donald Trump bëhet President për një mandat të dytë duke fituar zgjedhjet e vitit 2024, ai mund të kërcënojë të tërhiqet nga aleanca ose të tërheqë mbështetjen për Ukrainën nëse vendet evropiane nuk rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes.

Në vitin e tretë të luftës, udhëheqësit më të lartë ushtarakë të Ukrainës pranojnë hapur se situata në fushën e betejës në frontin lindor është përkeqësuar. Dy vjet luftë kanë shkatërruar municionet dhe fuqinë punëtore të Ukrainës, ndërsa kundërofensiva e dështuar vitin e kaluar fundosi edhe moralin e tyre. Ata flasin për mungesë municionesh dhe një nevojë urgjente për të dërguar trupa në front. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos