Në sfondin e luftës mes Izraelit dhe Hamasit, po merr jetë një tjetër përplasje e rrezikshme, ajo mes milicive të mbështetura nga irani dhe forcave amerikane në Siri dhe Irak. Administrata Biden i është kundërpërgjigjur sulmeve ndaj forcave të saj, me 3 fushata bombardimesh ajrore kundër bazave të Iranit.
Por cili është historiku dhe kush janë rreziqet e një përshkallëzimi të tillë. Këtë na e shpjegon kolegia Rosalba Bejdo.
1-Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në një spirale përshkallëzuese sulmesh e kundërsulmesh me grupet e mbështetura nga Irani në lindjen e Mesme. Spiralja u provokua nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit, dhe nisi më 17 tetor, me sulme që përfshinë dronë dhe zjarr indirekt ndaj forcave amerikane në Irak dhe Siri… Grupet e mbështetura nga Irani me bazë në Irak duket se janë të vetmit që pretendojnë përgjegjësinë për këto sulmet që po kryen mes zgjerimit të aseteve ushtarake amerikane në rajon…
2-Pentagoni raporton të paktën 52 sulme ndaj bazave në Siri dhe Irak në më pak se 4 muaj, ku kanë mbetur të lënduar rreth 56 ushtarakë amerikanë. Shtetet e Bashkuara janë kundërpërgjigjur më 3 valë sulmesh kundër pozicioneve të lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit dhe grupeve të tjera mbështetëse në disa javë. Në shënjestër janë vënë depo armësh, qendra trajnimi dhe vendstrehime të sigurta në siri dhe Irak.
3-Po Kush janë grupet që sulmojnë SHBA?
Një entitet ombrellë, që e quan veten Rezistenca Islamike ka marrë përgjegjësinë për shumicën e sulmeve ndaj forcave amerikane në Irak dhe Siri. Ai përfshin kryesisht grupe irakiane të lidhur me ‘aksin e rezistencës’, siç njihet rrjeti i shteteve aleate të Iranit, të tilla si Siria, dhe aktorë jo-shtetërore që përfshijnë rebelët Houthi në Jemen, Hezbollahun në Liban dhe grupe palestineze të tilla si Hamasi dhe Xhihadi Islamik. Grupet kryesore irakiane në këtë koalicion përfshijnë Kata’ib Hizbollah, Harakat al-Nujaba, Kata’ib Sayed al-Shuhada, dhe organizata Badr.
4-Por cili është historiku i armiqësisë mes SHBA dhe milicive pro Iranit ne Irak? Marrëdhënia e tensionuar, por pa e kaluar vijën e kuqe, mes shteteve të bashkuara me milicivë te mbështetura nga Irani në Irak, shpërtheu në vitin 2018 pas vendimit të njëanshëm të presidentit Donald Trump për tu tërhequr nga marrëveshja bërthamore e Iranit e vitit 2015. Fërkimet filluan pas rikthimit të sanksioneve ndaj Iranit, si pjesë e fushatës së ‘presionit maksimal’ të Donald Trump dhe vendimit të tij për ta shpallur gardën revolucionare të Iranit si organizatë terroriste. Një sulm raketor në dhjetor të 2019-tës, vrau një kontraktor civil amerikan dhe plagosi 4 të tjerë. Luftimet krijuan terrenin për sulmin ajror amerikan në 2 janar të 2020-tës, që vrau gjeneralin Kasem suleimani , kreu I forcave elitë Quds dhe Abu Mahdi al-Muhandis, themelues dhe komandant I Kata’ib Hizbollah. Teherani u kundërpërgjigj me një breshëri sulmesh raketore ndaj forcave amerikane në Irak, duke lënduar mbi 100 ushtarë.
5-Edhe armiqësitë mes SHBA dhe grupeve të mbështetura nga Irani në Siri përshkallëzuan gjatë administratës Trump me shumicën e luftimeve të përqëndruara rreth bazës ushtarake të Al-Tanf. Një prej periudhave më të acaruara ishte në maj dhe qershor të 2017-tës, kur ushtria amerikane u përplas me luftëtarët qe mbështesnin qeverinë siriane, duke ndërmarrë sulme ajrore dhe duke rrëzuar dy dronë. Megjithatë nuk është e qartë se çfarë saktësisht synonin të përmbushin trupat amerikane në Al-Tanf.. Përplasjet vijuan edhe pas largimit të Trump nga pushteti, me administratën Biden që ndërmori një sërë sulmesh ajrore kundër grupeve të paspecifikuara të mbështetura nga Irani në Siri.
6-Po pse shpërtheu tani armiqësia? Intensifikimi I sulmeve mes forcave amerikane dhe milicive të mbështetura nga Irani në tetor të 2023 I dha fund një periudhe relativisht te qetë mes Uashingtonit dhe Teheranit. Zbutja informale e tensioneve ishte pjesë e negociatave indirekte në Oman por gjithçka ndryshoi me shpejtësi në muajin tetor. Një javë pasi Izraeli nisi fushatën ushtarake në Gaza, grupet e mbështetura nga Irani nisën sulmet ndaj bazave amerikane në Siri dhe Irak. Ripërtëritja e sulmeve, të kombinuara me shënjestrimet e pretenduara, apo konfirmuara ndaj izraelit nga grupet në Liban, Siri, Irak dhe Jemen, sugjeron një përpjekje të “aksit të rezistencës” për ti bërë presion Izraelit të zbusë operacionin në Gaza. Grupet qe qëndrojnë pas sulmeve akuzojnë Amerikën si financues të luftës izraelite, dhe kërcënojnë se nëse Izraeli nuk ndryshon kurs, mund të hapin fronte shtesë kundër SHBA.
7-Por pse ka rëndësi dhe cili është rreziku i këtyre zhvillimeve? Përgjigja e Uashingtonit ndaj sulmeve iraniane deri tani ka qene e balancuar, mes dëshirës për të zbutur tensionet dhe nevojës për të projektuar forcë. Nëse goditja e bazave amerikane do të vijojë, e mbi të gjitha nëse viktima mes trupave ushtarake do të rriten, SHBA mund të ndihet e detyruar të ashpërsojë reagimin. Nga ana e tij, Irani ka paralajmëruar Izraelin të mos e zgjerojë operacionin në Gaza, duke ia bërë të qartë SHBA se mbështetja e saj për Tel Avivin mund të jetë preludi I një konfrontimi rajonal , që do të përfshinte një rrjet partnerësh të kultivuar me dekada. Me udhëzime eksplicite nga Teherani, grupe janë tani aktive në të paktën 5 teatro, Gaza, Libanin Jugor, Irak, Siri dhe Jemen, ku Irani ushtron ndikim. E megjithatë shfrytëzimi I këtyre grupeve për të zgjeruar konfliktin dhe aktivizimi i një cikli përplasje të drejtpërdrejtë me SHBA, do të vinte me pasoja të rënda dhe ndëshkuese për Iranin, prandaj republika Islamike do të duhet të bëjë llogaritë mirë nëse do ti hedhë hapat drejt një kundërpërgjigje më të rrezikshme. (A2 Televizion)