Arrihet marrëveshja tregtare SHBA-BE, Trump: Është e mirë për të gjithë

Nga A2 CNN
27 Korrik 2025, 19:48 | Bota

Arrihet marrëveshja tregtare SHBA-BE, Trump: Është e mirë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka arritur një marrëveshje tregtare me Bashkimin Europian pas një takimi të shkurtër me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Njoftimi u bë publik nga vetë presidenti amerikan gjatë një prononcimi për mediat nga resorti i tij i golfit në Turnberry, Skoci, shkruan A2 CNN.

“Kemi arritur një marrëveshje. Është një marrëveshje e mirë për të gjithë”, deklaroi Trump për gazetarët. Ai shtoi se kjo marrëveshje do të forcojë marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe BE-së, duke e përshkruar atë si një “partneritet, në një farë kuptimi”.

Nga ana tjetër, Ursula von der Leyen e cilësoi atë si një “marrëveshje e madhe”, duke theksuar se u arrit pas “negociatave të vështira”. Ajo nuk dha detaje të mëtejshme, por theksoi rëndësinë strategjike të këtij hapi për të dyja palët.

Marrëveshja vjen në një moment delikat për ekonominë globale dhe për marrëdhëniet transatlantike, duke sinjalizuar një hap drejt bashkëpunimit më të ngushtë ekonomik mes dy prej blloqeve më të fuqishme në botë.

Nuk janë publikuar ende detajet e plota të marrëveshjes, por burime nga të dyja palët konfirmojnë se ajo përfshin lehtësime tarifore dhe bashkëpunim në fusha të caktuara strategjike. Palët pritet të zhvillojnë konferenca të mëtejshme për të bërë të ditura specifikat e marrëveshjes dhe hapat që do të ndjekin më tej. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos