Siria, fronti i ri i luftës izraelite, sulmon Ministrinë e Mbrojtjes dhe paralajmëron me përshkallëzim

Nga A2 CNN
16 Korrik 2025, 16:50 | Bota

Siria, fronti i ri i luftës izraelite, sulmon Ministrinë e Mbrojtjes

Izraeli,ka hapur një front të ri lufte në Lindjen e Mesme, atë ndaj Sirisë. Ushtria izraelite njoftoi se kishte goditur hyrjen e ministrisë siriane të Mbrojtjes në Damask të mërkurën duke intensifikuar sulmet ndaj qeverisë së kryesuar nga islamikët, me qëllimin e deklaruar për të mbrojtur minoritetin Druz nga forcat e regjimit.

Kjo është dita e tretë radhazi që Izreali sulmon Sirinë, ku forcat qeveritare janë përplasur me luftëtarët lokalë Druz në qytetin jugor Sueida.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të mërkurën se "do të rrisnin përfshirjen ushtarake në jug të Sirisë dhe do të vazhdonin të godisnin forcat e regjimit derisa ato të tërhiqen nga zonat e banuara nga pakica druze".

Edhe kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli është i përkushtuar të ruajë rajonin jugperëndimor të Sirisë si një zonë të çmilitarizuar dhe të mbrojë pakicën druze në kufi.

Forca të sigurisë brenda Ministrisë së Mbrojtjes thanë për agjencinë e lajmeve Reuters se të paktën 2 dronë kishin goditur ndërtesën dhe se zyrtarët ishin strehuar në bodrum.

Raportimet mediatike nga Damasku pretendojnë se sulmet izraelite përgjatë së mërkurës kanë goditur edhe qytetin me shumicë Druze të Sueidas, ku pavarësisht një armëpushimi të njoftuar gjatë mbrëmjes, luftimet kanë vijuar për të 4 ditë me radhë.

Trupat e qeverisë siriane u dislokuan në rajonin e Sueida të hënën për të shuar luftimet mes luftëtarëve druze dhe fiseve Beduine sunite, por u përfshinë edhe vetë në përplasje me milicitë druze.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi të paktën 250 të vrarë që nga fillimi i dhunës, përfshirë fëmijë, gra dhe dhjetëra pjesëtarë të ushtrisë dhe forcave të sigurisë.

Izraeli, ku jeton një pjesë e konsiderueshme e komunitetit druz, e konsideron këtë komunitet si aleat dhe është zotuar ta mbrojë nga kërcënimet në kufi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos