Australia nën nxehtësinë ekstreme, ndërsa ciklonet e rrallë intensifikohen drejt bregut verior

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2023, 10:48 | Bota

Një ciklon tropikal është intensifikuar me shpejtësi në brigjet veriore të Australisë pasi miliona njerëz në të gjithë vendin përballen me kushtet e valëve të të nxehtit që parashikohet të shtrihen deri në fundjavë.

Cikloni i fortë tropikal Jasper u forcua në ekuivalentin e një uragani të kategorisë 4 të premten, me erëra maksimale prej 220 kilometrash në orë.

“Intensifikimi i mëtejshëm të premten është i mundur dhe nuk mund të përjashtohet një sistem i kategorisë 5”, tha byroja meteorologjike e vendit.

Jasper është cikloni tropikal më i hershëm i kategorisë 4 që është formuar në Detin Koral që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1900.

Stuhia, e cila ndodhet 1195 kilometra në verilindje të Queensland dhe duke lëvizur në jug me 9 km/h, mund të godasë bregdetin pranë Cairns, një qytet me 250.000 banorë, me erëra maksimale të qëndrueshme prej 140 km/h deri të martën. Megjithatë, parashikuesit thonë se rruga e parashikuar e saj mund të ndryshojë.

Ardhja e stuhisë është jashtëzakonisht e hershme gjatë El Niño, një model klimatik që e ka origjinën në Oqeanin Paqësor përgjatë ekuatorit dhe në përgjithësi redukton reshjet përgjatë bregut lindor të Australisë.

Ndërkohë, paralajmërimet për të nxehtin janë në fuqi në disa shtete dhe territore, duke përfshirë Uellsin e Ri Jugor, shtëpia e më shumë se 8 milionë njerëzve.

Sipas Byrosë Australiane të Meteorologjisë, temperaturat në kryeqytetin NSW Sydney pritet të arrijnë 40 gradë Celsius të shtunën, me nxehtësinë e nxitur nga erërat e forta dhe të thata.

Disa shkolla në Sidnei u detyruan të mbyllen të premten dhe në disa zona u rrit frika për rrezikun ndaj zjarreve.

Nxehtësia parashikohet të dobësohet pak nga fundjava deri në fillim të javës së ardhshme.

Australia është një nga vendet më të cenueshme ndaj efekteve të krizës klimatike, me valë të shpeshta të të nxehtit, reshje ekstreme dhe zjarre shkatërruese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos