
Azerbajxhani po evakuon diplomatët e tij nga Irani, tha të premten ministri i Jashtëm Jeyhun Bayramov, një ditë pasi Baku njoftoi se katër dronë iranianë kishin kaluar kufirin dhe kishin plagosur katër persona në enklavën Nakçivan, raporton A2CNN.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Baku, Bayramov tha se Azerbajxhani po evakuon punonjësit nga ambasada e tij në Teheran dhe nga konsullata e përgjithshme në Tabriz, qyteti më i madh në veriperëndim të Iranit, ku jetojnë shumë azerbajxhanas etnikë.
“Me urdhër të presidentit Ilham Aliyev, janë dhënë udhëzime për evakuimin e ambasadës sonë në Teheran dhe të konsullatës së përgjithshme në Tabriz nga Irani dhe këto udhëzime tashmë po zbatohen. Ne nuk mund të rrezikojmë jetën e njerëzve tanë,” tha ai.
Azerbajxhani reagoi me zemërim të enjten ndaj asaj që e quajti një hyrje të dronëve iranianë në enklavën e tij Nakçivan, ndërsa presidenti Aliyev kërcënoi me kundërpërgjigje. Irani tha se nuk i kishte lëshuar këta dronë.
Të dy vendet kanë pasur prej kohësh marrëdhënie të tensionuara, ndërsa lidhjet e ngushta të Azerbajxhanit me Izraelin kanë shkaktuar zemërimin e Iranit.
Azerbajxhani ndan me Iranin fenë myslimane shiite, por në diferencë nga Republika Islamike, qeveria e vendit kaukazian është laike. (A2 Televizion)