
Lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit vlerësohet se i ka kushtuar Uashingtonit 3,7 miliardë dollarë vetëm në 100 orët e para, ose pothuajse 900 milionë dollarë në ditë, kryesisht për shkak të shpenzimeve të mëdha për municione, sipas një studimi të ri, shkruan A2 CNN.
Një analizë nga organizata kërkimore me bazë në Uashington Center for Strategic and International Studies (CSIS) thekson koston kolosale të luftës, e cila hyri në ditën e saj të shtatë të premten, ndërsa Shtetet e Bashkuara sulmojnë Iranin me bombardues stealth dhe sisteme të avancuara armësh. Studiuesit Mark Cancian dhe Chris Park thanë se vetëm një pjesë e vogël e kostos së vlerësuar prej 3.7 miliardë dollarësh në 100 orët e para – ose 891.4 milionë dollarë në ditë, ishte planifikuar tashmë në buxhet, ndërsa shumica e kostove, rreth 3.5 miliardë dollarë, nuk ishin të parashikuara.
Kjo do të thotë se Pentagoni ka shumë gjasa të kërkojë fonde shtesë për të mbuluar shpenzimet e paplanifikuara, gjë që mund të bëhet një sfidë politike për administratën e Donald Trump dhe një pikë qendrore për kundërshtimin ndaj luftës.
Shqetësimet e brendshme për koston e jetesës, inflacionin, si dhe rritjen e çmimeve të karburantit si pasojë e konfliktit pritet të ulin më tej mbështetjen e qytetarëve amerikanë për luftën. Konflikti po përçan gjithashtu bazën e Trump-it “America First”, pasi gjatë fushatave presidenciale, ai kishte premtuar se nuk do të përfshihej në “luftëra të huaja”.
Duke theksuar se Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka dhënë pak detaje për operacionet, studiuesit thanë se analiza e tyre bazohet në vlerësimet e Zyrës së Buxhetit të Kongresit për kostot operative dhe të mbështetjes për çdo njësi ushtarake, të përshtatura me inflacionin dhe madhësinë e njësive, duke shtuar edhe 10 për qind për një ritëm më të lartë operacional.
Sipas analizës, Shtetet e Bashkuara kanë përdorur më shumë se 2,000 municione të llojeve të ndryshme në 100 orët e para të luftës dhe vlerësohet se 3.1 miliardë dollarë do të kushtojë zëvendësimi i tyre me municione të reja të njëjta, ndërsa kostot rriten me 758.1 milionë dollarë në ditë.
Konflikti ka sjellë edhe një kosto të madhe njerëzore. Më shumë se 1332 persona janë vrarë në Iran që nga fillimi i bombardimeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, sipas Gjysmëhënës së Kuqe iraniane, ndërsa UNICEF thotë se të paktën 181 fëmijë besohet të jenë mes viktimave.
Në Liban, numri i të vdekurve nga sulmet izraelite këtë javë ka arritur të paktën 123 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së vendit, ndërsa një valë e re sulmesh goditi vendin, në një nga frontet më të ashpra të luftës.
Të paktën gjashtë ushtarë amerikanë kanë vdekur në konflikt, ndërsa 11 persona kanë vdekur në Izrael. Gjithashtu janë raportuar nëntë viktima në vendet arabe të Gjirit. (A2 Televizion)