"Zgjidhni presidentin ose jeni në telashe", Joe Dioguardi apel për politikanët e Kosovës

Nga Erjon Dervishi
24 Gusht 2026, 19:31 | Kosova

Ish-kongresmeni amerikan Joseph DioGuardi dhe bashkëshortja e tij, Shirley Cloyes DioGuardi, janë bërë zyrtarisht shtetas të Republikës së Kosovës. Dekretet e shtetësisë iu dorëzuan gjatë një ceremonie të veçantë nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Ai deklaroi në Prishtinë se kriza politike po e vendos Kosovën në një situatë të vështirë.

“Jam këtu, siç e dini, për t’u siguruar që ju të keni një president. Dhe shpresoj që kjo të ndodhë para se unë të largohem. Nëse nuk ndodh para se të largohem, do të jeni në telashe të mëdha, sepse keni armiq që tashmë janë gati të prishin ekuilibrin në Ballkan. Ndaj është e rëndësishme që erdha me zërin tim të lartë për të zgjuar popullin shqiptar. Nuk është koha për të fjetur gjumë, sepse njerëzit janë gati t’ju marrin atë që keni. Më vjen keq ta them këtë, por mund ta shihni vetë”.

Joe DioGuardi është prej dekadash një prej figurave më të njohura shqiptaro-amerikane në politikën amerikane dhe një mbështetës i fuqishëm i Kosovës në Uashington. Bashkëshortja e tij, Shirley Cloyes DioGuardi, ka qenë gjithashtu e angazhuar në mënyrë të vazhdueshme për çështjen shqiptare dhe të drejtat e shqiptarëve në Ballkan.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi kanë qenë ndër zërat më të fuqishëm në SHBA në mbështetje të Kosovës dhe pavarësisë së saj. Sipas saj, ata kanë qenë miq të Kosovës shumë përpara shpalljes së shtetit dhe tashmë janë edhe qytetarë të saj.

Shirley Cloyes DioGuardi gjithashtu vlerësoi marrjen e shtetësisë së Kosovës dhe solli në kujtesë angazhimin e çiftit në mbështetje të çështjes së Kosovës që prej vitit 1989. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos