4 vite pas vdekjes së Mahsa Amini dhe protestave në mbrojtje të grave dhe lirisë, duket se veshja e grave në Iran rikthehet në qendër të vëmendjes. Ndërsa lufta SHBA–Iran ka ngecur, në rrjetet sociale po qarkullojnë video që tregojnë gra duke u turpëruar dhe qortuar në rrugë për mënyrën se si janë veshur, veçanërisht kur nuk mbajnë hixhabin e detyrueshëm.
“Turp të kesh për atë që po bën. Edhe në Turqi nuk mund të dalësh në rrugë kështu”. Kjo grua po turpërohet publikisht nga një grua tjetër, sepse ka dalë e veshur kështu.
“Si guxon të dalësh e veshur kështu?” “Boll!” “Mos e bëj më”.
Më vonë mbërrijnë forcat e policisë dhe e detyrojnë të veshë pantallona.
Jomana Karadsheh, CNN: “E njëjta skenë po përsëritet në qytete të ndryshme të vendit. Vëmendja duket se po rikthehet te mënyra se si u lejohet grave të vishen.”
Në pikun e luftës, gra pa shami mbi kokë shiheshin edhe në tubime proqeveritare. Regjimi dukej se kishte prioritete më të mëdha. Por tani, linja e ashpër e regjimit po e rikthen hixhabin në qendër të vëmendjes. Kafene, restorante dhe dyqane po mbyllen për moszbatim të kodeve të detyrueshme të veshjes.
Jomana Karadsheh, CNN: “Klerikët e vijës së ashpër po kërkojnë zbatim më të rreptë të rregullave. Ky klerik po i drejtohet drejtpërdrejt presidentit Masoud Pezeshkian:”
Kleriku: “Deri në ç’masë duhet t’i heqin rrobat, që kjo të jetë vija jote e kuqe dhe të thuash: ‘Ah, kjo nuk duhet të bëhet më’?”
Jomana Karadsheh, CNN: “Por regjimi përballet me një problem.”
Gratë iraniane nuk po tërhiqen.
Katër vjet më parë, vdekja në burg e Mahsa Amini, pas arrestimit nga e ashtuquajtura Polici e Moralit, shkaktoi protestat “Grua, Jetë, Liri”. Kryengritja u shtyp me brutalitet. Por aktet e përhapura të mosbindjes vazhduan.
Sot, gratë ecin nëpër qytetet iraniane pa shami dhe udhëtojnë me motoçikleta nëpër Teheran, Shiraz dhe Isfahan.
Teksa lufta me SHBA-në duket se ka hyrë në ngërç, një përballje e vjetër po rikthehet gradualisht. (A2 Televizion)