
Banorët e New Orleans po përballen me frikë në rritje dhe pasigurie pasi administrata Trump ka nisur operacionin e ashpër të zbatimit të ligjit për imigracionin, të quajtur “Catahoula Crunch”.
Operacioni, i udhëhequr nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) dhe Patrulla Kufitare, synon arrestimin e mijëra emigrantëve pa dokumente, veçanërisht atyre me të kaluar kriminale. New Orleans është qyteti i katërt i madh ku po zbatohen këto masa.
Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se një incident në Kenner, një periferi me komunitet kryesisht latino, tronditi publikun kur dy punëtorë u ngjitën në çatinë e një shtëpie ndërsa agjentët përpiqeshin t’i arrestonin, përcjell A2 CNN.
Ngjarja tërhoqi vëmendjen e fqinjëve, aktivistëve dhe mediave, duke nxitur shqetësime për taktikat agresive të përdorura. Sipas DHS, një person u arrestua, por autoritetet nuk treguan nëse agjentët kishin urdhër për hyrje në pronë.

Komuniteti latino-amerikan në zonë është futur në izolim nga frika e bastisjeve. BBC sjell dëhsminë e një familjeje si ajo e Abigail, e cila drejton një restorant meksikan dhe fle brenda biznesit për të shmangur arrestimet, mes një atmosfere ankthi dhe pasigurie, shkruan A2 CNN.
Me rreth 14 milionë emigrantë pa dokumente në SHBA, sipas Peë Research Center, operacioni po ndihet veçanërisht në zonat ku emigrantët kanë kontribuar në rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik, pas uraganit Katrina.
Ndërsa autoritetet federale pretendojnë se po targetojnë “kriminelët”, të dhënat nga operacionet e mëparshme tregojnë se shumica e të arrestuarve nuk kanë precedentë penalë.

Udhëheqësit lokalë kritikojnë masat si politike dhe joproporcionale, ndërsa guvernatori republikan i Luizianës i mbështet plotësisht ato. Emigrantët e arrestuar mund të përfundojnë në burgun famëkeq të Luizianës, “Angola”, Burgun Shtetëror të Luizianës dhe burgun më të madh të sigurisë maksimale në SHBA. I njohur për historinë e tij të errët, emri i tij lidhet me ish-plantacionin e skllevërve që ndodhej aty ku ndodhet tani burgu.
(A2 Televizion)