Banorët e një qyteti rus kundërshtojnë rekrutimin me forcë për të luftuar në Ukrainë

Nga A2 CNN
26 Gusht 2026, 09:33 | Bota

Banorët e një qyteti rus kundërshtojnë rekrutimin me

Më 23 korrik, disa burra me rroba civile u shfaqën në shtëpinë e punonjësit të një kompanie sigurie, Sergei Teplyakov, dhe e urdhëruan atë ta dorëzonte “pasaportën e brendshme”, dokumentin kryesor të identifikimit në Rusi.

“Njëri prej tyre u prezantua si oficeri i ri i policisë së qarkut dhe i kërkoi pasaportën”, tha Oksana, një nga disa banorë të Bashmakovos, një qytet në rajonin e Penzës, e cila rrëfeu për Radion Evropa e Lirë (REL) për incidentin.

Kur Teplyakov e telefonoi policinë e vërtetë vendase, tha ajo, burrat u zemëruan, e kapën atë dhe u përpoqën ta fusnin me forcë në automjetin e tyre. Por, ata e liruan Teplyakovin pasi mbërriti djali i tij dhe filloi ta xhironte tërë ndodhin, përcjell A2.

Të nesërmen, dy burra e kapën Aleksei Denisenkon, një tjetër banor i qytetit me rreth 9.000 banorë, teksa ai po kosiste barin si pjesë e urdhrit nga gjykata për të shërbyer në komunitet, pasi ishte dënuar për drejtimin e automjetit në gjendje të dehur.

Ata i thanë se do të ishte “më keq” nëse ai nuk do të pranonte të shkonte në administratën e qarkut, sipas Artyom, një banor i qytetit, i cili tha se një punonjës i administratës së qarkut ndodhej në automjetin me të cilin ata u larguan.

Motra e Denisenkos përfundimisht e pengoi automjetin në rrugën drejt kryeqytetit të rajonit, e detyroi të ndalonte dhe e nxori vëllain e saj nga automjeti, tha Artyom. Emri i vërtetë i Artyomit, si dhe emrat e personave të tjerë që folën për REL-in, nuk mund të bëhen të ditur për arsye sigurie.

Teplyakov dhe Denisenko janë mes një numri në rritje burrash që, sipas banorëve, janë shënjestruar si pjesë e një përpjekjeje për të mbledhur burra dhe për t’i detyruar ata – shpesh përmes mashtrimit, kërcënimeve dhe forcës – të nënshkruajnë kontrata për të luftuar në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Si përgjigje, banorët kanë ndërmarrë një hap të pazakontë kundër asaj që i frikësohen se është një fushatë në rritje e mobilizimit ushtarak: Ata kanë themeluar patrulla vullnetare për të mos lejuar që fqinjët e tyre të kapen dhe të dërgohen në front.

Vullnetarët merren vesh përmes një grupi në VK, rrjeti më i madh social i Rusisë, dhe ndërrohen në turne për të vëzhguar rrugët gjatë gjithë kohës.

“U bashkova me patrullën pothuajse menjëherë. Gjithçka ndodhi vetvetiu”, i tha REL-it në fillim të këtij muaji Galina, një banore e Bashmakovos, duke shtuar se rreth 250 njerëz ishin bashkuar.

Frika nga mobilizimi
Banorët thonë se është më dobishme të ndërhyhet herët, para se një burrë të dërgohet në një stacion policie ose zyrë rekrutimi. Sepse, pasi të jetë dërguar atje mund të jetë tepër vonë, tha Galina.

Patrullat në Bashmakovo janë një përgjigje e vendasve ndaj asaj që vëzhguesit, mediat dhe dëshmitë nga terreni tregojnë se është një fushatë gjithnjë e më shtrënguese për t’i bindur burrat të luftojnë në Ukrainë, ku forcat ruse po fitojnë terren shumë ngadalë dhe ndonjëherë po humbasin më shumë terren sesa po fitojnë, me një kosto të jashtëzakonshme në viktima.

Rusia ka pësuar 1.4 milionë viktima, përfshirë deri në 450.000 ushtarë të vrarë, që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022, vlerësoi në fillim të verës Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, me seli në Uashington.

Disa vlerësime janë edhe më të larta.

Shpallja e një mobilizimi të detyrueshëm paraqet rrezik politik për Putinin, veçanërisht para zgjedhjeve parlamentare të 18-20 shtatorit, dhe Kremlini është përpjekur ta zbusë frikën se një mobilizim i tillë është duke u përgatitur.

Pavarësisht se u cilësua si “i pjesshëm”, mobilizimi që Putini urdhëroi në shtator të vitit 2022 bëri që qindra mijëra njerëz të largoheshin nga vendi.

Që atëherë, Qeveria ruse ka përdorur një sërë taktikash, nga stimujt financiarë deri te përdorimi i forcës, për të plotësuar radhët e forcave të saj në Ukrainë. Ajo gjithashtu u është drejtuar grupeve si të dënuarit dhe personat e pastrehë në kërkim të ushtarëve.

Disa rajone ruse thuhet se i kanë rritur ndjeshëm këtë vit bonuset për nënshkrimin e kontratave, pas reduktimeve në vitin 2025. Në maj, Putin nënshkroi një ligj që fal deri në 10 milionë rubla (120.000 dollarë) borxhe të papaguara për rekrutët e rinj ushtarakë dhe bashkëshortet ose bashkëshortët e tyre.

Ndërkohë, raportet e mediave dhe dëshmitë nga terreni në rajone të ndryshme të vendit – nga Penza deri në Lindjen e Largët, dhe gjetkë – sugjerojnë se autoritetet po përdorin gjithnjë e më shumë trysninë, mashtrimin dhe bastisjet për të mbushur radhët.

Forca dhe mashtrimi

Menjëherë pas incidenteve me Teplyakovin dhe Denisenkon, të paktën dy burra të tjerë nga Bashmakovo u dërguan në një qendër rekrutimi në Penza dhe ndaj tyre u ushtrua trysni për të nënshkruar kontrata.

Artyom tha se njëri prej tyre u kërcënua me ndjekje penale për shkak të borxheve, edhe pse borxhet e tij nuk përbënin bazë për përgjegjësi penale.

“Ata thjesht e mashtruan”, tha ai.

Pretendimet nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur. Drejtuesja e administratës së qarkut të Bashmakovos, Tamara Pavlutkina, nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment.

Në Bashmakovo, banorët thonë se kanë arritur të parandalojnë marrjen e të paktën pesë ose gjashtë personave qëkurse nisi patrullimi në korrik.

Ata thonë se automjetet e përdorura në disa prej incidenteve i përkisnin agjencive lokale qeveritare, duke sugjeruar fuqishëm se zyrtarët ishin të përfshirë.

Në fillim të gushtit, blogeri nga Penza, Stanislav Morozov, krijoi një bisedë online për të ndihmuar burrat e ndaluar dhe të përballur me trysni për të nënshkruar kontrata ushtarake.

Më shumë se 300 persona iu bashkuan grupit qysh në ditën e parë dhe më shumë se 1.200 brenda një jave.

“Po e bëjmë këtë nga dëshpërimi”, shkroi Morozov. “Sepse thjesht nuk kemi rrugëdalje tjetër. Njerëzit po ngrihen në mbrojtje të të drejtave dhe lirive tona themelore”.

Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) hapi një çështje penale kundër Morozovit në korrik për shkak të një videoje, duke e akuzuar atë për nxitje të sulmeve publike dhe thirrje për rrahjen e punonjësve të zyrave të rekrutimit./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos