Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 1.9 miliardë eurosh, financim që vjen nga asetet e ngrira ruse.
Lajmi u konfirmua nga Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal përmes një postimi në Telegram, pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së të zhvilluar në qytetin Lviv të Ukrainës perëndimore. Në takim mori pjesë edhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së, Kaja Kallas.
“Ky është një vendim historik,” u shpreh Shmyhal. “Armët për Ukrainën do të financohen përmes Fondit Evropian të Paqes, duke përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira të Federatës Ruse.”
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm ukrainas Andrii Sybiha dhe Kallas, kryeministri Shmyhal përsëriti kërkesën për krijimin e një gjykate të posaçme ndërkombëtare për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për agresionin ushtarak.
“Duhet të krijohet një tribunal special për krimet e agresionit rus,” theksoi ai, duke shtuar se tema është diskutuar me përfaqësues të shumë vendeve. (A2 Televizion)