Franca po planifikon ndërtimin e një aeroplanmbajtëse bërthamor të gjeneratës së re, të quajtur Porte-Avions de Nouvelle Génération (PA-NG), e cila synon të bëhet anija luftarake më e madhe e ndërtuar ndonjëherë në Europë. Sipas burimeve nga United24Media, projekti pritet të miratohet në fund të vitit 2025, ndërsa ndërtimi të nisë në fillim të viteve 2030, me hyrjen në shërbim të planifikuar për vitin 2038.
PA-NG do të zëvendësojë aeroplanmbajtësen aktual francez Charles de Gaulle, i cili është në shërbim që nga viti 2001. Aeroplanmbajtësja e re do të ketë një peshë prej 78 mijë tonësh, gjatësi prej 310 metrash dhe gjerësi prej 85 metrash.
I pajisur me dy reaktorë bërthamorë të tipit K22, secili me kapacitet prodhimi prej 220 megavatësh, PA-NG do të ketë aftësi të avancuara. Ai do të përfshijë tre sisteme elektromagnetike për lëshimin e avionëve dhe tre sisteme të përparuara të ndalimit, të ngjashme me ato të klasës Gerald R. Ford të Marinës Amerikane, shkruan A2 CNN.
Pista e fluturimeve me sipërfaqe prej 17 mijë metrash katrorë do të strehojë mbi 40 mjete ajrore, përfshirë avionët Rafale M, E-2D Hawkeye, helikopterë dhe dronë. Ndërkohë, për vetëmbrojtje, PA-NG do të pajiset me 24 raketa Aster, topa Bofors 40 mm dhe sisteme Simbad-RC me raketat Mistral 3.
Ndërsa PA-NG pritet të ndërtohet, Charles de Gaulle mund të mbetet funksional deri në vitin 2048 për të mbuluar çdo vonesë të mundshme në projekt. (A2 Televizion)