
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian ka paralajmëruar se Unioni do të “qëndrojë në këmbë” ndaj kërcënimeve për tarifa doganore të Presidentit Donald Trump.
Sipas mediave të huaja, po ashtu BE paralajmëroi se ka një “grup mjetesh” për të mbrojtur interesat e veta.
Kaja Kallas u takua sot në Bruksel me ministrin e Mbrojtjes të Danimarkës dhe ministrin e jashtëm të Groenlandës.
“Siguria e Arktikut është një interes i përbashkët transatlantik dhe një gjë që mund ta diskutojmë me aleatët tanë amerikanë”, shkruan ajo në ‘X’ pas takimit.
"Por kërcënimet me tarifa nuk janë mënyra për ta arritur këtë”, vijoi Kallas më tej, shkruan A2 CNN.
"Sovraniteti nuk është për tregti. Ne nuk kemi interes të nisim një luftë, por do të qëndrojmë në pozicionin tonë. Evropa ka një sërë mjetesh për të mbrojtur interesat e saj", shtoi Kallas.
Kallas ka të ngjarë t’i referohet instrumentit anti-shtrëngim të BE-së, i cili do t’i lejonte bllokut të vendoste tarifa hakmarrëse ndaj SHBA-së, të kufizonte investimet dhe tregtinë amerikane me Evropën dhe të kufizonte aksesin në treg.
Është arma më e fuqishme tregtare e bllokut dhe nuk është përdorur kurrë më parë. (A2 Televizion)