Starmer: Kërcënimet për Groenlandën janë të gabuara, por s’duam luftë tregtare

Nga Rosalba Bejdo
19 Janar 2026, 14:52 | Bota

Teksa Europa po mendon një kundërpërgjigje të unifikuar ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për Groenlandën, kryeministri britanik Keir Starmer përpiqet të qetësojë gjakrat. Ai bëri thirrje për diskutime të qeta për të parandaluar një luftë të mundshme tregtare me SHBA-në për Groenlandën, duke i bërë thirrje presidentit amerikan të respektojë aleancat si NATO, në vend që t’i minojë ato.

Starmer e cilësoi si të gabuar vendimin e Trump për të ndëshkuar me tarifa vendet europiane që e kundërshtojnë për Groenlandën, por në përpjekje për të zbutur luftën e fjalëve, përjashtoi mundësinë e kundërpërgjigjes tarifore nga ana e Londrës.

“Aleancat zgjasin pasi ndërtohen mbi respektin dhe partneritetin, dhe jo mbi presionin. Për këtë arsye, përdorimi i tarifave kundër aleatëve është i gabuar. Çdo vendim për statusin e ardhshëm të Groenlandës i përket popullit të vet dhe Danimarkës. Kjo është një e drejtë themelore dhe ne e mbështesim. Lufta tregtare nuk është në interesin e askujt dhe detyra ime është të veproj në mbrojtje të interesave të Britanisë së Madhe”, tha kryeministri britanik, përcjell A2.

Ai u zotua se do të përdorë të gjithë fuqinë e qeverisë së tij në përpjekje për të ndalur vendimin amerikan, që siç tha, mund të peshojë rëndë mbi konsumatorët e thjeshtë.

Trump njoftoi vendosjen e tarifave prej 10 për qind ndaj tetë shteteve europiane, përfshirë Britaninë e Madhe, për shkak të kundërshtisë ndaj përvetësimit të Groenlandës.

Liderët e BE-së po mendojnë një kundërpërgjigje të përbashkët dhe, në një samit të enjten, do të diskutojnë mbi vendosjen e një pakete tarifash ndaj importeve me vlerë prej 93 miliardë eurosh nga SHBA, të cilat mund të hyjnë në fuqi nga 6 shkurti.

Ministrat e financave në Gjermani dhe Francë thanë të hënën se fuqitë europiane nuk do të shantazhohen dhe se do të ketë një përgjigje të qartë dhe të bashkuar ndaj kërcënimeve të Trump. “Ne europianët duhet ta bëjmë të qartë: limiti është arritur”, tha ministri gjerman Lars Klingbeil. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos