
Ish-presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, deklaroi se “nuk pa asgjë dhe nuk bëri asgjë të gabuar” në lidhje me marrëdhënien e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, gjatë fjalës së tij hapëse para ligjvënësve amerikanë, raporton A2CNN.
"Shpesh do të më dëgjoni të them që nuk më kujtohet. Por nuk do të them diçka për të cilën nuk jam i sigurt. E gjitha kjo ka ndodhur shumë kohë më parë. Dhe jam i detyruar nga betimi im të mos spekuloj ose të hamendësoj", tha Clinton. “Nuk e ndihmon çështjen që unë të luaj rolin e detektivit 24 vjet më vonë”, shtoi ish-Presidenti amerikan.
Ai e përfundon deklaratën e tij duke thënë: "Meqenëse jam nën betim, nuk do të deklaroj në mënyrë të rreme se mezi pres pyetjet tuaja. Por jam i gatshëm t'u përgjigjem atyre sa më mirë që të mundem."
Clinton theksoi se, nëse do të kishte pasur dijeni për krimet e Epstein, do ta kishte denoncuar vetë te autoritetet. Ai kritikoi gjithashtu komisionin hetimor për thirrjen e bashkëshortes së tij, Hillary Clinton, për të dëshmuar, duke argumentuar se ajo nuk kishte “asgjë të bënte” me Epstein.
Në një dëshmi që zgjati rreth gjashtë orë, Hillary Clinton u shpreh se “nuk kishte ide” për aktivitetet kriminale të Epstein dhe e cilësoi seancën si “teatër politik partizan”. Nga ana tjetër, republikanët kanë bërë të ditur se planifikojnë të publikojnë videon e dëshmisë së saj të premten ose të shtunën.
Emri dhe imazhet e ish-Presidentit janë përfshirë në dosjet e lidhura me Epstein, ndërsa Clinton ka pranuar më herët se ka udhëtuar me aeroplanin e tij. Megjithatë, ai ka mohuar çdo dijeni për krimet e Epstein dhe nuk ka asnjë sugjerim se përmendja e tij në dokumente nënkupton shkelje ligjore.
(A2 Televizion)