“Rusia do të marrë kontrollin e plotë të të gjithë Donabasit, ose me negociata ose me armë”. Një ditë pas bisedimeve me të dërguarit amerikan për paqen në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin e bën të qartë se nuk ka aspak ndërmend të tërhiqet në kushtin e tij kryesor për fundin e luftës.
Në një intervistë për “India Today” në nisje të vizitës në indi, shefi i Kremlinit kërkoi tërheqjen e trupave ukrainas nga rajoni lindor.
"Ose do t'i çlirojmë këto territore me forcën e armëve, ose trupat ukrainase do të duhet të tërhiqen dhe të ndalojnë së vrari njerëz."
Presidenti Putin vlerësoi homologun Trump që siç tha, është i sinqertë në përpjekjen e gjetjes së një zgjidhje, por shtoi se nuk është një mision i lehtë. Deklaratat e putin vijnë pak pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se lideri rus ishte realisht i interesuar për t’i dhënë fund luftës, sipas përshtypjes së të dërguarve të tij Steve Wittkof dhe Jared, Kushner gjatë bisedimeve te Moskës.
Ai i cilësoi bisedimet e së martës mjaftueshëm të mira, edhe pse takimi 5 orësh me Putin nuk prodhoi asnjë kompromis.
"Nuk e di çfarë po bën Kremlini. Mund t'ju them se ata patën një takim mjaft të mirë me Presidentin Putin. Do ta zbulojmë. Është një luftë që nuk duhej të kishte filluar kurrë. Nëse do të isha president kjo luftë nuk do të kishte ndodhur kurrë. Është një gjë e tmerrshme. Por gjithsesi ata patën një takim shumë të mirë me Presidentin Putin. Do të shohim çfarë do të ndodhë", u shpreh Trump.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se këtë të enjte Wittkof do të takohet me delegacionin ukrainas të udhëhequr nga këshilltari i lartë Rustem Umerov në Miami.
Më herët gjatë së mërkurës presidenti ukrainas tha se aktualisht, bota po ndjen se ka një mundësi reale për t’i dhënë fund luftës, por se negociatat duhet të mbështeten nga presionin i shtuar ndaj Rusisë. Ndërkohë ministri i jashtëm ukrainas Andrii Sybhia tha se Rusia duhet t’i japë fund gjakderdhjes dhe akuzoi Putinin se po harxhonte kot kohën e botës. (A2 Televizion)