Justina Shiroka Pula nisi punën si Presidente e Kosovës. Një ditë pas ceremonisë së marrjes së detyrës, ajo zhvilloi aktivitetet e para në funksionin e ri, ndërsa ditën e nisi me homazhe në Prekaz dhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Këto aktivitete u zhvilluan pa praninë e mediave. Ndërsa gjatë ditës, në Presidencë presidenten e vizitoi kryeministri Albin Kurti.
Pas takimit të parë me presidenten e re, Kurti tha se ka gjetur mirëkuptim, gatishmëri dhe vullnet për bashkëpunim, ndërsa theksoi se institucionet duhet të punojnë së bashku për interesin shtetëror dhe publik.
“Republika e Kosovës më në fund, pas më shumë se një viti e gjysmë, ka institucionet gjithësisht funksionale, dhe tash natyrisht që nuk kemi kohë për të humbur dhe duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara”
Kurti u shpreh se gjatë takimit ka hasur në gatishmërinë e presidentes së re për bashkërendim institucional në të gjitha aspektet.
“Unë hasa jo vetëm mirëkuptimin, por gatishmërinë, interesin dhe vullnetin e presidentes së re që të bashkërendohemi maksimalisht për të gjitha gjërat në çdo aspekt. Në të njëjtën kohë, ky ishte edhe një shans që të njoftohen ekipet tona, ku unë kisha me vete edhe shefin e stafit të Kryeministrisë, zotëri Flora Masula, zëdhënësin dhe asistenten ekzekutive, por në ditët e javës në vijim zonja presidente do të takohet edhe me institucionet e tjera të shtetit, me ministritë e Qeverisë”
Ndërkaq nga Presidenca njoftuan se, gjatë takimit Shiroka Pula ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve, me qëllim shërbimin ndaj qytetarëve dhe mbrojtjen e interesave të vendit. Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur presidenten e re Justina Shiroka Pula mori 81 vota nga 83 deputetët që morën pjesë në votim pak para mesnatës më 06.10.2026. (A2 Televizion)