Franca vijon të jetë e paralizuar nga protestat. Adoleshentët francezë bllokuan disa shkolla të mesme dhe marshuan nëpër qytete të enjten, ndërsa qeveria premtoi të adresonte ankesat e tyre në lidhje me mungesën e mësuesve dhe ndërtesat e rrënuara shkollore.
Lëvizja protestuese, e cila ka hyrë në javën e tretë, ka nxjerrë në pah tensione të thella në Francë midis kërkesave popullore për investime në shërbimet publike që po përkeqësohen dhe një qeverie të varfër nën presionin e tregjeve të obligacioneve për të ulur borxhin dhe deficitin e saj.
Mësuesja e shkollës së mesme Diane Di Sciullo iu bashkua studentëve në një marshim të madh në Marsejë, duke thënë se e tëra çfarë ata kërkonin ishte një arsim i mirë në kushte të mira. Ajo denoncoi mbipopullimin, duke thënë se këtë vit kishte 37 studentë në klasën e saj.
“Për më tepër, në disa lagje të klasës punëtore, siç e kemi parë në shumë video, tavanet në fakt po shemben. Në pankartën time të protestës sot shkruhet se nxënësit e mi më ndihmojnë të kap buburrecat në klasë, dhe kjo është e vërteta absolute. Vitin e kaluar, isha në një lagje ku unë dhe nxënësit e mi gjuanim buburrecat gjatë mësimit. Kishte buburreca që ngjiteshin mbi tavolinën e mësuesit dhe mbi bankat e nxënësve”, tha Diane Di Sciullo, mësuese e shkollës së mesme.
Shifrat e ministrisë së Arsimit treguan se numri i bllokadave të shkollave po zvogëlohej gradualisht. Ajo tha se 224 shkolla u mbyllën në mëngjes, duke rënë në 157 deri në kohën e drekës, që do të thotë se 96% e shkollave ishin të hapura.
“Kjo lëvizje po merr përmasa të mëdha dhe po përhapet pothuajse në çdo qytet të Francës, thjesht sepse nxënësit kërkojnë qasje në një arsim cilësor dhe në kushte dinjitoze. Nga përvoja ime si mësues, problemi më i madh janë klasat e mbipopulluara. Këtë vit, kam një klasë me 37 nxënës. Në fillim të çdo ore mësimi, më duhet t'u kërkoj atyre të kontrollojnë klasat fqinje për karrige dhe banka të lira, në mënyrë që të mund të mësojnë realisht. Ndonjëherë, tre prej tyre duhet të ndajnë të njëjtën bankë- madje edhe në shkollat e mesme që gëzojnë përparësi më të madhe se të tjerat”, u shpreh Diane Di Sciullo.
Turma të mëdha protestuan në të gjithë vendin, nga Lille në veri deri në Rennes dhe Nantes në perëndim, kryeqytetin Paris, dhe Toulon dhe Marsejë në jug. Ministri i Arsimit, Edouard Geffray, zhvilloi një takim me nxënës dhe mësues në një shkollë të mesme në qytetin lindor të Reimsit, por pa dhënë detaje të mëtejshme. (A2 Televizion)