Dy ditë pasi Parlamenti i Kosovës votoi presidenten e re dhe ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale, duke shmangur zgjedhjet e reja, jeta politike në Kosovë i është rikthyer normalitetit, e megjithatë debatet për kompromisin e minutave të fundit vijojnë. Politikanë në Kosovë po detyrohen të mbrojnë ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara, mes kritikave të ndërkombëtarëve se ky hap mund të përbëjë ikje nga detyrimet.
Pas BE-së, edhe ambasada e Gjermanisë në Prishtinë tha se ndihet “thellësisht e shqetësuar” dhe bëri thirrje që pavarësia e gjykatës të respektohet plotësisht… Më herët, Bashkimi Evropian tha se këto ndryshime bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj bllokut.
Z. Kurti nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me çështjen të enjten, por Përparim Gruda, zyrtari i partisë kryesore opozitare e cila i inicioi ndryshimet në ligj, Partia Demokratike e Kosovës, e nguli këmbë se Kosova “nuk po i shkel” detyrimet e veta ndërkombëtare.
Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk e zhbën institucionin, por se siç thekson ai, synon përmirësimin e tij që ka për qëllim vendosjen e drejtësisë.
Tahiri për Ligjin për Specialen: Vendimi është i plotfuqishëm
“Ajo çka ka ndodhë në Kuvendin e Kosovës është shumë e thjeshtë. Është ndryshuar një ligj i cili vjen si rrjedhojë e shumë dështimeve në jo vetëm në procesin 6-vjeçar, mirëpo edhe në aspektin dhe qëllimin për çka është distancuar. Kufizimi ka të bëjë me të drejtën e Kuvendit të Kosovës. Ky kufizim nuk e zhbën, por e përmirëson një institucion i cili synon të ketë drejtësi. Vendimi është i plotfuqishëm, Kosova vazhdon rrugëtimin e vet, qëllimet institucionale dhe politike që i ka”, tha ai.
Ndërkohë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri, është detyruar të shpjegojë përse partia e tij nuk e votoi projektligjin.
Haziri: LDK-ja nuk e ka kundërshtuar rezolutën, kemi kërkuar drejtësi për të gjithë
“LDK-ja nuk e ka kundërshtuar, sikur edhe në një rast vitin e kaluar. Ka mbështetur rezolutën si vullnet i përbashkët. Në rezolutë shprehet vullneti politik. Por kur vijnë këtë veprimet e tjera, natyrisht, mospjesëmarrja me kundërshtim është e mjaftueshme për rolin politik që në këtë proces LDK-ja ka pasur dhe duhet me kuptu. Ajo që sot po pohojmë, në shtëpinë e të varurit mos e përmend litarin, është diçka në të cilën ne duhet me vazhdu gjithmonë e me ndërtu edhe me gjetë mundësi me ndërtu bashkëpunim për të gjitha çështjet që janë në interes të Republikës. Kemi kërkuar drejtësi për të gjithë, kemi thënë që drejtësia duhet me u vendos për të gjithë në Kosovë, edhe jo vetëm ne, më vonë edhe ndërkohë edhe tash janë bashkangjitur edhe partitë tjera. Dhe kjo është e mirë, tash po punohet që me u vendos drejtësi për të gjithë”, tha ai.
Ndryshimet e miratuara e ngushtojnë juridiksionin e Speciales në aspektin e veprave, kohës dhe territorit, e kufizojnë dënimin në 15 vjet dhe parashikojnë transferimin e rasteve apo dënimeve në Kosovë. (A2 Televizion)