Shpërthime, flakë dhe luftë, Rusia godet me bomba dy autobusë në Ukrainë: Mbi 33 viktima

Nga Xhevahir Qardaku
8 Tetor 2026, 19:40 | Bota

Në fillim shpërthimi, më pas flakët dhe vdekja… 33 persona janë vrarë nga Rusia në Ukrainë, pasi u lëshuan bomba rrëshqitëse ndaj dy autobusëve plot me civilë në qytetin Kramatorsk, në frontin e luftës. Bilanci raportohet nga ekipet e shpëtimit që shkuan menjëherë në vendngjarje, ndërsa 18 persona të tjerë janë plagosur.

Shefi rajonal i Donjeckut akuzon Rusinë se ka shënjestruar me qëllim autobusët për të vrarë sa më shumë civilë. Imazhet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë makabritetin e një lufte që ka humbur kufijtë moralë, ndërsa shfaqen autobusët duke u djegur dhe viktimat në rrugë.

“Ky sulm nuk do të kalojë pa kundërpërgjigje. Rusia po përpiqet të shkatërrojë të gjithë jetën në rajonin e Donbasit dhe bota duhet të reagojë për këtë. Duhet kundërpërgjigje vendimtare, në mënyrën që Rusia meriton për të gjitha vdekjet që ka shkaktuar”, u shpreh presidenti Volodymyr Zelensky, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave.

Kramatorsku, një qytet fqinj me Slovianskun, është pjesë e të ashtuquajturit brez të fortesës, që Rusia po përpiqet të pushtojë si pjesë e pretendimit të Vladimir Putinit për të gjithë rajonin industrial të Ukrainës, në Donbas.

Moska ka bombarduar edhe Kievin, ku raportohen të paktën 3 viktima dhe 13 të plagosur.

Një ditë më parë, në mbarë Ukrainën u shënuan orë ferri… Por lufta ka prekur edhe vendin që e nisi atë. Dronët ukrainas kanë goditur një qendër të dhënash në pronësi të gjigantit rus të teknologjisë Yandex. Ky është sulmi i parë i raportuar i këtij lloji.

Një zjarr shpërtheu menjëherë në atë zonë. Yandex, i njohur me nofkën “Google i Rusisë”, është motori kryesor i kërkimit në gjuhën ruse. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos