Blinken para vizitës në Ankara: PKK, kërcënim për Turqinë, të shmangim ndezjen e konflikteve të tjera

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2024, 17:34 | Bota

Blinken para vizitës në Ankara: PKK, kërcënim për

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka nisur të mërkurën nga Jordania vizitën në vendet e Lindjes së Mesme dhe më pas do të shkojë në Turqi, në përpjekje për të bashkuar vendet e rajonit rreth një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Sirisë, pas rrëzimit të sundimtarit autoritar Bashar al-Assad.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken do të vizitojë Turqinë të premten. Para kësaj vizite, Blinken bëri deklarata për zhvillimet e fundit në Siri. Ai njoftoi se do të takohet me ministrin e Jashtëm Hakan Fidan dhe presidentin Erdogan. Në një deklaratë një ditë para vizitës, sekretari amerikan i shteitit e cilësoi PKK-në një kërcënim për Turqinë ndërsa foli për shmangien e ndezjes së konflikteve të reja në rajon.

"PKK është një kërcënim për Turqinë. Në të njëjtën kohë, ne duam të shmangim ndezjen e konflikteve të tjera. Forcat Demokratike Siriane janë kritike për mbajtjen e DAESH-it në kufi”, deklaroi Sekretari Amerikan i Shtetit.

Duke folur të mërkurën para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme, zoti Blinken tha se beson se administrata e ardhshme e Presidentit të zgjedhur Donald Trump do të ketë interes në ruajtjen e asaj që është arritur drejt eliminimit të "kalifatit territorial" që grupi terrorist i njohur si Shteti Islamik kishte krijuar në Siri. Zoti Trump dhe ekipi i tij kanë thënë se SHBA nuk duhet të përfshihet në Siri.

“Kjo nuk është lufta jonë. Të shohim se ç’do të ndodhë”, u shpreh zoti Trump më 7 dhjetor në platformën e tij Truth Social.

Gjatë një seance të mërkurën që zgjati më shumë se katër orë, zoti Blinken u tha ligjvënësve:

"Nëse Siria kalon nga ana tjetër - nëse copëtohet - ka të ngjarë të shohim më shumë migrime masive. Ka të ngjarë të shohim më shumë zona në Siri të bëhen qendra të terrorizmit dhe ekstremizmit, asnjëra prej të cilave nuk është në interesin tonë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos