
USS Gerald R. Ford, aeroplanmbajtësja më moderne dhe më e madhe e flotës amerikane, është përballur me një problem sa të pazakontë aq edhe të sikletshëm: sistemi i tualeteve në bord nuk funksionon siç duhet. Anija gjigante 337 metra e gjatë, që ka kushtuar mbi 13 miliardë dollarë, u detyrua të ndalojë në portin e Sudës në Kretë ndërsa ishte nisur me shpejtësi drejt Lindjes së Mesme, në kuadër të tensioneve me Iranin.
Sipas raportimeve, defekti lidhet me sistemin VCHT (Vacuum Collection, Holding and Transfer), që menaxhon mbetjet e 4600 personave që jetojnë dhe shërbejnë në bord, shkruan A2 CNN. Ky sistem është konsideruar i pamjaftueshëm për nevojat reale të ekuipazhit. Problemet janë shfaqur vazhdimisht që nga viti 2023, me dhjetëra ndërhyrje teknike dhe pastrime të thella kimike të tubacioneve, një procedurë që kushton rreth 400 mijë dollarë dhe kërkon ndalimin e anijes në port.
Çështja e tualeteve të bllokuara është bërë publike edhe nga media amerikane, përfshirë një investigim të NPR, ku u publikuan fotografi që tregonin ambiente të përmbytura nga ujërat e zeza. Sipas të dhënave, aeroplanmbajtësja ka kërkuar 42 herë ndërhyrje teknike për këtë problem në dy vitet e fundit.
Megjithatë, zyrtarët e marinës amerikane këmbëngulin se defekti nuk ndikon në aftësinë operacionale të anijes. Sistemi i brendshëm është i ndarë në dhjetë zona të pavarura dhe shërben për rreth 600 tualete në 25 kuverta.
Ndalesa në Kretë i mundësoi anijes të kryente mirëmbajtjen e nevojshme përpara se të vijojë misionin e saj, që sipas mediave izraelite mund ta çojë pranë Haifës, për të mbështetur Izraelin në rast përshkallëzimi me Iranin. Ndërsa “Ford” përgatitet të rikthehet në det të hapur, sfida mbetet jo vetëm ushtarake, por edhe logjistike – në një “qytet lundrues” ku funksionimi i çdo sistemi është jetik. (A2 Televizion)