“Durimi i Trump ka një kufi”, sulm masiv i Rusisë në Ukrainë, raketa dhe dronë shkatërrues

Nga Xhevahir Qardaku
26 Shkurt 2026, 10:18 | Bota

“Durimi i Trump ka një kufi”, sulm masiv i Rusisë në

Rusia ka kryer një ndër sulmet më masive në Ukrainë. 420 dronë dhe 39 raketa të llojeve të ndryshme, përfshirë balistike dhe hipersonike, u lëshuan në 8 rajone të ndryshme. Shpërthimet e para ndodhën në Kiev rreth orës 4 të mëngjesit sipas orës lokale, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore shënjestruan objektivat që vinin.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, paralajmëroi banorët të qëndronin në vende të sigurta. Zjarre u raportuan në disa zona pas sulmit. Të paktën 14 persona raportohen të lënduar nga bombardimet e Rusisë në Harkiv, shkruan A2 CNN. Shpërthime ka pasur dhe në Zaporizhia. OKB-ja i ka bërë thirrje Rusisë dhe Ukrainës të bashkëpunojnë me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për të garantuar sigurinë e centralit bërthamor të Zaporizhias, më i madhi në Europë. “Kjo është për të mirën e të gjithëve”, theksoi një zëdhënës.

Ky ashpërsim i luftimeve vjen në një ditë kur priten takime të rëndësishme për paqen mes amerikanëve, ukrainasve dhe rusëve në Gjenevë të Zvicrës, të cilat do të zhvillohen të ndara. Durimi i Shtëpisë së Bardhë në gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin ukrainas “ka një kufi”, tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio. Kryediplomati theksoi se mbeten çështje “shumë të vështira” për t'u zgjidhur midis Moskës dhe Kievit, por se numri i tyre është zvogëluar që nga fillimi i negociatave trepalëshe.

“E dimë që në fund lufta në Ukrainë nuk ka një zgjidhje ushtarake. Kjo luftë do të zgjidhet përmes negociatave. Dhe tani për tani ne jemi i vetmi vend në botë që mund të jetë katalizator për negociata. Nëse humbasim rolin, askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë. Megjithatë, nuk besoj se durimi i Presidentit është i pafund. Por nuk do të parashikoj për ju se kur do të mbarojë kjo ose në çfarë pike ai vendos të mos e bëjë më”, tha Rubio.

Ndërkohë, shuhen shpresat për një takim mes presidentëve rusë dhe ukrainas, Vladimir Putin me Volodymyr Zelensky. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se një ballafaqim i tillë për momentin është i pakuptimtë. “Me çfarë nuk do të bjerë dakord Ukraina, çfarë nuk do të bëjë dhe çfarë planifikon të bëjë më pas”, pyeti ai duke sinjalizuar se Rusia pret që Ukraina të dorëzohet pa kushte përballë kërkesave të Putinit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos