Brazili ia kthen Trumpit letrën ku njoftonte taksat

Nga A2 CNN
10 Korrik 2025, 11:13 | Bota

Brazili ia kthen Trumpit letrën ku njoftonte taksat

Ministria e Jashtme braziliane ia ka kthyer të ngarkuarit me punë të SHBA-së në Brasilia letrën e Presidentit Donald Trump, ku njoftonte tarifat prej 50% kundër vendit të Amerikës së Jugut.

Diplomati amerikan Gabriel Escobar u thirr për herë të dytë brenda pak orësh për të dhënë sqarime mbi vendimin e SHBA-së.

Ministria e Jashtme e quajti letrën "ofenduese", duke vënë në dukje se ajo përmban deklarata të rreme rreth Brazilit dhe gabime faktike në lidhje me marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve.

Presidenti amerikan Donald Trump e shtoi presionin të hënën mbi partnerët tregtarë të SHBA-ve, duke u dërguar letra krerëve të disa vendeve, duke i informuar ata për normën e tyre të re tarifore. Por në të njëjtën kohë, Trump e zbuti pak situatën duke nënshkruar një vendim ekzekutiv po të hënën për të zgjatur datën për të gjitha tarifat “reciproke”, me përjashtim të Kinës, deri më 1 gusht.

Këto tarifa “reciproke” pritej të hynin në fuqi të mërkurën. Në disa raste, letrat që Trump dërgoi specifikojnë tarifa të reja “reciproke” që janë më të larta ose më të ulëta krahasuar me nivelet e prillit. Trump nuk ishte përfundimtar kur u pyet nëse afati i ri i 1 gushtit ishte “i prerë” përpara një darke në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mbrëmje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos