Lufta rikthehet sërish në Kiev. Sirena alarmi… zhurma dronësh në qiell dhe shpërthime të forta. Kryeqyteti i Ukrainës ishte sërish nën një sulm masiv nga Rusia.
Zyrtarët lokalë në Kiev konfirmuan të paktën dy persona të vdekur dhe disa të tjerë të plagosur, ndërsa zjarre u panë përreth qytetit. Autoritetet njoftuan se mbetjet e dronëve goditën çatinë e një ndërtese rezidenciale në një zonë qendrore.
Imazhe të publikuara në rrjete sociale, tregojnë shpërthimet gjatë natës, teksa njësitë e mbrojtjes ajrore nisën kundërsulmet për të rrëzuar dronët.
Ushtria e Ukrainës lëshoi dhe alarmin për sulme të mundshme me raketa balistike nga forcat ruse. Qeveria e Kievit nënvizoi se ky ishte sulmi më i madh ndonjëherë nga ushtria e Moskës, pasi 728 dronë dhe 13 raketa lundrimi u lëshuan në valë të ndryshme.
Të paktën 6 zona të ndryshme u goditën, theksojnë autoritetet në kryeqytet. “Ndërtesa banimi, automjete, magazine dhe godina të tjera po digjen”, u shpreh një zyrtar i ushtrisë ukrainase. “Mbrëmë, Rusia kreu një sulm masiv të kombinuar që zgjati gati dhjetë orë”, shkroi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Objektivi kryesor i sulmit ishte Kievi dhe rajoni i tij, por u goditën edhe rajonet e Chernihiv, Sumy, Poltava, Kirovohrad dhe Kharkiv. Sipas Zelensky, sulmi masiv “tregon qartë përshkallëzimin e terrorit nga Rusia”. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë rinisur dërgesat e predhave të artilerisë 155 mm dhe raketave GMLR të lëvizshme në Ukrainë, vetëm disa ditë pasi administrata e Presidentit Donald Trump ndaloi dërgesat e disa armëve kritike në Kiev.
Këtë e konfirmuan dy zyrtarë amerikanë për agjencinë e lajmeve Reuters. Pezullimi i disa dërgesave të armëve javën e kaluar duket se është lidhur me shqetësimet se rezervat ushtarake amerikane mund të jenë shumë të ulëta, sipas zyrtarëve, të cilët folën në kushte anonimiteti. Burimet nuk specifikuan se sa armë u dërguan, as nëse dërgesa ishte përfunduar. (A2 Televizion)