Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar mbi sulmin e fundit me dron të Rusisë në Kiev.
Sipas mediave të huaja, Zelensky thotë se Rusia lëshoi 18 raketa dhe rreth 400 dronë gjatë sulmit të natës në Ukrainë që synonte kryesisht kryeqytetin.
Në një deklaratë në Telegram, udhëheqësi ukrainas tha se Rusia nisi një sulm masiv të kombinuar që “zgjati pothuajse dhjetë orë”.
Objektivi kryesor i sulmit ishte Kievi, por u sulmuan edhe rajonet e Çernihovit, në veri të Ukrainës, të Sumit dhe Kharkivit, në verilindje, si dhe zonat qendrore të Poltavas dhe Kirovohrad, shkruan A2 CNN.
Zelensky tha po ashtu se dihet se 16 persona janë plagosur nga sulmet.
“Ky është një përshkallëzim i dukshëm i terrorit nga Rusia: qindra Shaheed çdo natë, sulme të vazhdueshme, sulme masive kundër qyteteve ukrainase”, tha Zelensky.
"Kjo do të thotë se nevojitet përshpejtim. Ne duhet të jemi më të shpejtë me sanksionet dhe të ushtrojmë presion mbi Rusinë në mënyrë që ajo të ndiejë pasojat e terrorit të saj", shtoi ai.
Ai tha gjithashtu se sulmeve të tilla ruse “duhet t’u përgjigjet ashpër”. (A2 Televizion)