Trump, Putin dhe Xi në një takim historik trepalësh, në tryezë armët bërthamore dhe luftrat

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2026, 12:03 | Bota

Trump, Putin dhe Xi në një takim historik trepalësh, në

Presidentët e Rusisë, SHBA-ve dhe Kinës pritet të zhvillojnë të enjten një takim të përbashkët trepalësh, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që do të mbahet në Shenzhen të Kinës. Lajmi është raportuar nga Associated Press, duke iu referuar zyrtarëve, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar planet për këtë takim të paprecedentë.

Presidenti kinez Xi Jinping do të presë homologët e tij, Vladimir Putin dhe Donald Trump, në samitin e 18-19 nëntorit. Sipas raportimeve, në qendër të diskutimeve pritet të jenë kontrolli i armëve bërthamore dhe siguria ndërkombëtare, përfshirë konfliktet në Ukrainë dhe Iran.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka konfirmuar gjithashtu zhvillimin e takimit. Ndërkohë, këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, ka bërë të ditur më herët se presidenti rus e kishte diskutuar këtë takim me të dërguarit e Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

“Shpresojmë që takimi i parë në këtë format të ketë një ndikim pozitiv në situatën e përgjithshme ndërkombëtare”, deklaroi Ushakov muajin e kaluar.

Takimi trepalësh pritet të zhvillohet pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-të mes delegacioneve ruse dhe ukrainase në Abu Dhabi, më 10 dhe 11 nëntor. Këto negociata shënuan rifillimin e bisedimeve trepalëshe pas nëntë muajsh ndërprerje.

Megjithëse palët nuk arritën një marrëveshje të rëndësishme, Jared Kushner deklaroi se do të realizohet “shkëmbimi më i madh i të burgosurve gjatë luftës”.

Ndërkohë, vendet evropiane që mbështesin Ukrainën po diskutojnë për caktimin e përfaqësuesve të tyre në negociatat me Rusinë, pasi u lanë jashtë tryezës së bisedimeve në Abu Dhabi. Përfaqësuesit evropianë zhvilluan takime të ndara me delegacionet ukrainase dhe amerikane.

Moska ka këmbëngulur se vendet evropiane duhet të tregojnë fillimisht vullnet të mirë, duke i akuzuar se që prej vitit 2022 po përpiqen të pengojnë përpjekjet për paqe.

Në të njëjtën kohë, tensionet ndërkombëtare mbeten të larta. Trafiku në Ngushticën e Hormuzit, një korridor jetik për transportin global të naftës dhe gazit të lëngshëm, vijon të jetë i ndërprerë për shkak të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të energjisë.

Gjithashtu, Uashingtoni dhe Pekini vijojnë të kenë mosmarrëveshje për tarifat tregtare, mineralet e rralla dhe kufizimet ndaj teknologjisë së përparuar, pavarësisht armëpushimit të brishtë tregtar, i cili pritet të përfundojë në janar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos