
“Tronditëse!” Kështu e cilësuan liderët e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen dhe António Costa, ceremoninë shtetërore për Ratko Mlladiç në Serbi.
Beogradi përcolli me nderime të larta shtetërore kriminelin e luftës në Bosnje, duke rrezikuar të dëmtojë rëndë përpjekjet për anëtarësim në BE. Krerët e dy institucioneve kryesore të Unionit dënuan praninë e zyrtarëve të lartë serbë në funeral, në një deklaratë të përbashkët të publikuar njëkohësisht në X të martën.
“Imazhet nga funerali i Ratko Mlladiç dje në Beograd ishin tronditëse. Ratko Mlladiç ishte një kriminel lufte i dënuar. Ai ishte përgjegjës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Mbështetja zyrtare dhe prania e disa prej zyrtarëve të lartë serbë në ceremoninë mortore janë thellësisht për t’u ardhur keq. Ato tregojnë një dështim për t’u përballur me një kapitull të errët të historisë së kohëve të fundit të Evropës dhe bien ndesh me vlerat mbi të cilat mbështetet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.”
84-vjeçari Mlladiç, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”, vdiq në fund të gushtit në një qendër burgimi të OKB-së në Hagë, ku vuante dënimin për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Nën komandën e tij, forcat serbe të Bosnjës pushtuan Srebrenicën dhe vranë mbi 8,000 burra dhe djem boshnjakë.
Pas vdekjes, trupi i tij u transportua me avion shtetëror drejt Beogradit, ku u prit me nderime ushtarake nga ushtria serbe dhe forcat e sigurisë, ndërsa u nderua edhe nga Kisha Ortodokse Serbe. Arkivoli i tij ishte mbështjellë me flamurin serb.
Të premten, glorifikimi i kriminelit të luftës shkaktoi reagime të ashpra nga zyrtarë të lartë të BE-së, ministra dhe diplomatë të vendeve të ndryshme.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, paralajmëroi se funerali do të ishte një “test i rëndësishëm” për ambiciet e Serbisë për anëtarësim në BE.
Të hënën, zëdhënësja kryesore e Komisionit, Paula Pinho, shkaktoi reagime të forta publike pasi deklaroi se Komisioni kishte marrë informacion se ishte parashikuar një ceremoni mortore me nderime shtetërore, por se një ceremoni e tillë nuk ishte zhvilluar. Ministria e punëve të jashtme të Bsonje dhe hercegovinës e cilësoi deklaratën si një turp, dhe kujtoi se 5 ministra të qeverisë serbe u ulën në rresht të parë gjatë ceremonisë për kriminelin e dënuar të luftës. (A2 Televizion)