
Kanadaja ka hyrë në një fazë të re të luftës tregtare me Shtetet e Bashkuara, pasi të martën kanë hyrë në fuqi kundër-tarifat kanadeze ndaj një game të gjerë produktesh amerikane.
Tarifat e reja prekin mallra amerikane me vlerë rreth 28 miliardë dollarë kanadezë, ose rreth 20 miliardë dollarë amerikanë. Ato variojnë nga 15% deri në 50% dhe përfshijnë produkte të ndryshme, nga çeliku dhe mobiljet deri te veshjet dhe artikujt ushqimorë.
Qeveria kanadeze kishte përfshirë fillimisht edhe peshkun dhe karavidhet e freskëta në listën e produkteve të prekura, por më pas i përjashtoi ato pas kundërshtimeve nga industria vendase e prodhimeve të detit.
Kryeministri kanadez Mark Carney ka deklaruar se Ottawa mbetet e gatshme për një marrëveshje me SHBA-në, por vetëm nëse ajo është e qëndrueshme dhe në interes të të dyja vendeve.
“Jemi gati të ulemi dhe të arrijmë atë marrëveshje kur amerikanët të jenë gati”, tha Carney.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi tregtar i SHBA-së, Jamieson Greer, ka deklaruar se përgjegjësia për rifillimin e negociatave i takon Kanadasë. Ai paralajmëroi gjithashtu se Uashingtoni mund të marrë masa të tjera nëse Ottawa vazhdon me tarifat hakmarrëse.
Përshkallëzimi i konfliktit tregtar vjen pasi SHBA-ja ka vendosur tarifa prej 25% për automjetet kanadeze, si dhe tarifa ndaj çelikut, aluminit dhe produkteve të tjera. Në fund të gushtit, presidenti amerikan Donald Trump vendosi gjithashtu tarifa prej 50% për një sërë mallrash kanadeze. (A2 Televizion)