“E ka vendin në burg”, zbulimi shokues: Netanjahu e dinte, injoroi sulmin e Hamasit

Nga Xhevahir Qardaku
8 Shtator 2026, 11:10 | Bota

Detaje tronditëse janë zbuluar lidhur me sulmin e Hamasit më 7 tetor dhe Benjamin Netanjahun.

Sipas disa burimeve rajonale të gazetës izraelite Haaretz, rreth dhjetë ditë para agresionit, kryeministri izraelit ishte paralajmëruar personalisht nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, për një ofensivë të madhe dhe të afërt të Hamasit. Sipas të njëjtit raport, Netanyahu nuk e përcolli këtë informacion te drejtuesit e sigurisë izraelite, ndërsa më herët edhe shërbimet Shin Bet e kishin diskutuar paralajmërimin, por nuk e kishin interpretuar si një kërcënim konkret nga Gaza.

Haaretz shkruan se Mohammed bin Zayed ishte informuar për planet e Yahya Sinwar dhe kishte paralajmëruar për gjakderdhje, destabilizim të rajonit dhe rrezik për Marrëveshjet e Abrahamit, shkruan A2.

Por, zyra e Netanyahut i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke deklaruar se kryeministri nuk ka biseduar me presidentin e Emirateve në atë periudhë dhe nuk ka marrë prej tij asnjë paralajmërim.

Publikimi ka shkaktuar reagim të menjëhershëm të opozitës izraelite, e cila kërkon që Netanyahu të mbajë përgjegjësi dhe të ngrihet një komision shtetëror hetimor për dështimet që i paraprinë sulmit të 7 Tetorit. Ish-kryeministri Naftali Bennett dhe figura të tjera opozitare e kanë akuzuar Netanyahun për neglizhencë dhe për përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësisë politike.

Ndërsa ish-shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Gadi Eisenkot, ka deklaruar se provat e reja kërkojnë një hetim të plotë mbi atë që ai e cilëson si dështim katastrofik të udhëheqjes izraelite. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos