
Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, kreu i PD Sali Berisha, i shoqëruar nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, zhvilloi një takim me kongresmenin amerikan Keith Self.
Sipas PD-së në fokus të bisedës ishin trafiku i drogës, korrupsioni dhe ndikimi i krimit të organizuar në proceset zgjedhore në Shqipëri.
Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës se përdor paratë e drogës dhe strukturat e krimit të organizuar për të ndikuar në zgjedhje dhe për të konsoliduar pushtetin. Ai deklaroi gjithashtu se Rama ka dëmtuar institucionet e pavarura dhe ka përqendruar pushtetin në duart e tij.
“Në takim u diskutua edhe ideja e një qeverie teknike si mekanizëm për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke marrë si referencë modelin e Maqedonisë së Veriut. Sipas Berishës, një zgjidhje e tillë do të krijonte kushtet për një proces zgjedhor ku pushteti përcaktohet përmes votës së lirë. Kongresmeni Self, nga ana e tij, shprehu interes për zhvillimet në Shqipëri dhe situatën në Ballkan, duke deklaruar se do ta ndjekë me vëmendje rajonin”, thuhet në njoftimin e PD. (A2 Televizion)