
Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, ka njoftuar ndalimin e importit të mallrave nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, i cili është nën pushtim të paligjshëm, raporton A2 CNN.
Miliband e njoftoi ndalimin e importeve në Dhomën e Komunëve, duke deklaruar se nuk beson se “populli britanik dëshiron që ne të mbështesim pushtimin duke pranuar produkte nga vendbanimet në dyqanet tona”.
Ai tha se do të krijohet një regjim gjithëpërfshirës sanksionesh, duke përfshirë edhe përjashtime të përshtatshme për çështjet fetare. Duke iu drejtuar atyre që lehtësojnë krijimin dhe zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme, Miliband tha: “Do të përballeni me të gjithë forcën e sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar”.
Ai u tha gjithashtu deputetëve se Mbretëria e Bashkuar pajtohet me vlerësimin se ka spastrim etnik në zona të Bregut Perëndimor, ndërsa qëndrimi i qeverisë është se pushtimi është “i paligjshëm”.
Ai njoftoi gjithashtu ndalimin në Mbretërinë e Bashkuar të reklamimit të vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor. “Regjimi i sanksioneve do të synojë vendbanimet e paligjshme dhe zgjerimin e tyre, jo Izraelin”, shtoi sekretari i Jashtëm.
Miliband njoftoi gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar do të vendosë sanksione ndaj një grupi të ri “kolonësh ekstremistë”, të cilët kanë “mbështetur ose nxitur akte dhune” kundër komuniteteve palestineze. “Mund të njoftoj gjithashtu se po zgjerojmë regjimin ekzistues global të të drejtave të njeriut, në mënyrë që të mundësojmë veprime më të shpejta për të frenuar zgjerimin e vendbanimeve, duke përfshirë, në mënyrë thelbësore, përpjekjet për të parandaluar zhvillimin e zonës E1,” shtoi ai.
Franca dhe Kanadaja do të ndalojnë gjithashtu importet nga vendbanimet e paligjshme
Miliband tha se Franca dhe Kanadaja do të njoftojnë gjithashtu sot një ndalim të importit të mallrave nga vendbanimet e paligjshme.
Ato do t’i bashkohen Holandës, Irlandës, Belgjikës, Spanjës dhe Norvegjisë, të cilat ose kanë ndaluar importet e mallrave nga këto vendbanime, ose janë në proces të zbatimit të një ndalimi të tillë.
Danimarka, Finlanda, Islanda, Polonia, Portugalia dhe Suedia kanë deklaruar sot se do të mbështesin gjithashtu masa të mëtejshme, tha Miliband. (A2 Televizion)
