
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka riafirmuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për Kosovën dhe procesin e saj të integrimit evropian, gjatë vizitës së tij në Prishtinë në kuadër të turit diplomatik në Ballkan.
Costa u bëri thirrje forcave politike në Kosovë që, pavarësisht dallimeve politike, ta vendosin integrimin evropian në qendër të agjendës së tyre, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe reformave.
Ai deklaroi se Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të zbatuar reformat e kërkuara dhe për të përfituar nga mundësitë që ofron Bashkimi Evropian, shkruan A2CNN.
“Ndërsa Kosova shkon drejt zgjedhjeve këtë fundjavë, mesazhi im është i thjeshtë: partneriteti ynë vjen me përgjegjësi. I inkurajoj udhëheqësit politikë ta bëjnë integrimin në BE një përparësi, përtej ndarjeve politike, dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët”, u shpreh Costa.
(A2 Televizion)