Deepfakes, mbivendosja digjitale e një fytyre mbi trupin e një personi tjetër, janë mjaft të përhapura në internet dhe zakonisht kanë në shënjestër gratë. Por vitet e fundit, shtimi i tyre po kthehet në kërcënim edhe për demokracinë.
Falsifikime të tilla shkatërrojnë jetë, karrierën, marrëdhëniet në çift, ju e dini se ato po ndikojnë në demokracinë tonë me një ritëm në rritje. Është një kohë shumë e frikshme, rrëfen, politikania irlandezoveriore, Cara Hunter, e cila ishte në një festë familjare kur zbuloi një deep-fake, pamje të rreme pornografie me fytyrën e saj. "Më kujtohet, u ndjeva sikur një valë e madhe e nxehtë më përshkoi trupin. Vetëm frikë dhe ankth i plotë për atë që do të vinte më pas. Dhe nuk mendoj se mund ta kisha parashikuar ndonjëherë, se si do të ishin tre javët e ardhshme të jetës sime. Përvoja ime me Deep Fake ishte kjo: mora mesazhe nga Anglia, nga Skocia, nga Amerika. Më ndaluan në rrugë dhe një i panjohur më kërkoi një favor seksual, një burrë që nuk e kisha parë kurrë. Dhe kjo tregon se si dëmet online shndërrohen në dëme në jetën reale."
Deep Fakes kanë në shënjestër gratë
Ajo që përjetoi Cara Hunter nuk është një rast i izoluar. Deepfake-et pornografike janë një problem global dhe kanë në shënjestër kryesisht gratë. Një grup kërkimor në SHBA gjeti mbi 35,000 raste të pornografisë deep-fake, që paraqesnin 26 anëtarë të Kongresit Amerikan - pothuajse të gjithë gra. Në Mbretërinë e Bashkuar, nga rezultatet e një hetimi dolën imazhe të falsifikuara në botën digjitale të më shumë se 30 deputetëve.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është gjithashtu shpesh në shënjestër të videove pornografike me përmbajtje të rreme, duke e bërë atë të ngrejë padi. Edhe në Pakistan, deepfakes përdoren sidomos për të diskredituar politikanet femra. Por sot nuk i vuan më vetëm individi pasojat.
Deep Fakes rrezikojnë demokracinë
Politikania irlandezoveriore, Cara Hunter, është e bindur, se Deep Fake "janë të rrezikshme edhe për demokracinë, sepse ndikojnë tek e vërteta. Ato manipulojnë faktet, trillojnë dhe gënjeshtrën e paraqesin si të vërtetë. Mendoj se demokracia jonë është e ndërtuar mbi të vërtetën dhe mbi besimin. Dhe mua si përfaqësuese politike në Irlandën e Veriut, më duhen vite për të ndërtuar atë ndjenjë besimi me komunitetin tim, me zgjedhësit e mi. Dhe me një klikim të butonit, një deepfake mund të fshijë plotësisht gjithçka për të cilën keni punuar kaq shumë, dhe ndikon kaq dëmshëm në marrëdhënien që keni me publikun.
E sa më shumë zhvillohet teknologjia e deepfake aq më shumë rritet kërcënimi që ajo paraqet për demokracinë. Vetëm me disa klikime, kushdo mund të krijojë dhe shpërndajë deepfake në internet. Deri më sot, Cara Hunter ende nuk e di se kush është përgjegjës për atë që ndodhi. Hunter kërkon që të mbështeten viktimat përmes inteligjencës artificiale. "Që do të thotë mbështetje psikologjike për to. Do të doja të shihja gjigantët e teknologjisë, kompanitë teknologjike, gjigantët e mediave sociale të ndërhynin dhe të ofronin mbështetje, udhëzime dhe linja ndihme për gratë si unë, por veçanërisht për ato që nuk kanë një platformë si unë për të protestuar pafajësinë e tyre dhe për të rivendosur në vend emrin e tyre."/ DW (A2 Televizion)