Lirimi i pengjeve është një nga kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës, mirëpo në një kohë kur Tel Aviv pret lirimin e robëve, lideri i Hamas ka bërë një deklaratë tronditëse.
“Askush nuk e ka idenë se ku janë pengjet dhe sa prej tyre janë gjallë. Nuk kam asnjë ide për këtë. Askush nuk e ka idenë për këtë”, ka thënë ai për CNN.
Sipas deklaratave zyrtare të Hamasit për CNN, Osama Hamdan tha se propozimi i fundit në lidhje me armëpushimin i referohet një plani izraelit që u shpall publikisht nga presidenti amerikan Joe Biden në fund të muajit të kaluar, por ky traktat nuk i plotëson kërkesat e Hamasit për përfundimin e luftës.
Plani i armëpushimit i mbështetur nga SHBA, i miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të hënën, më 10 qershor, parashikon një qasje graduale për t'i dhënë fund luftës.
Në fazën e parë, do të ketë një armëpushim gjashtëjavor gjatë të cilit disa pengje do të shkëmbehen me të burgosur palestinezë dhe ushtria izraelite do të tërhiqet nga zonat e banuara të Gazës. Faza e dytë - një fund i përhershëm i luftës dhe tërheqja e plotë e Izraelit nga Gaza - do të zbatohet vetëm pas negociatave të mëtejshme midis dy palëve.
Mirëpo, Hamdan i tha CNN se kohëzgjatja e armëpushimit është një çështje kyçe për Hamasin, i cili është i shqetësuar se Izraeli nuk ka ndërmend të ndjekë fazën e dytë të marrëveshjes. Përfundimi i armiqësive duhet të jetë i përhershëm dhe jo "për gjashtë javë", tha ai, dhe Izraeli duhet të tërhiqet plotësisht nga Gaza. (A2 Televizion)