Rusia e konsideron si shumë serioz paralajmërimin e presidentit amerikan Donald Trump për sanksione të reja, the thotë se analiza e deklaratave do të të kërkojë kohe.
Reagimi i parë zyrtar i Kremlinit, pas njoftimit të Trump për armatosjen e Ukrainës dhe vendosjes së tarifave 100 perqind ndaj Moskës dhe shteteve që bëjnë biznes me të ishte i përmbajtur.
“Deklaratat e Presidentit të SHBA janë shumë serioze. Disa prej tyre i drejtohen personalisht Presidentit Putin. Sigurisht që na duhet kohë për të analizuar atë që u tha në Uashington", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Sipas zëdhënësit Dmitry Peskov, presidenti rus Vladimir Putin do të komentojë deklaratat e Trump nëse do ta shohë të nevojshme.
"Nëse dhe kur Presidenti Putin ta konsiderojë të nevojshme, ai do të komentojë. Nuk do të doja të flisja paraprakisht. Le të presim vendimin e Putinit, nëse ai vetë do të komentojë për këtë.”
Ndërkohë Dimitri Medvedev, zv/kryetar i Këshillit të Sigurisë në Rusi dhe një nga zërat më të fortë kundër perëndimit, pohoi se Moska është indiferente ndaj deklaratave së Trump, që siç tha përfaqëson një ultimatum teatral.
“Trump i dha një ultimatum teatral Kremlinit. Bota dridhej, duke pritur pasojat. Evropa e shkatërruar nga lufta mbeti e zhgënjyer. Por Rusisë nuk i interesonte”, shkroi ish-presidenti rus në platformën X.
Ndërkohë qytetarët në Moskë shprehën shqetësim se dërgesat e reja të armatimeve do të përshkallëzojnë konfliktin. Sipas tyre, një raund i ri i luftën është duke nisur, dhe se asgjë e mirë nuk do të vijë nga kjo. (A2 Televizion)