Trump armatos Kievin dhe kërcënon me tarifa 100% ndaj Rusisë

Nga Rosalba Bejdo
15 Korrik 2025, 11:13 | Bota

Donald Trump është i zhgënjyer, por nuk e ka mbyllur me Presidentin rus Vladimir Putin. Këtë, shefi i Shtëpisë së Bardhë e tha në një intervistë ekskluzive për BBC, disa orë pasi njoftoi planet për të dërguar armatime në Ukranë dhe për të taksuar rëndë Rusinë nëse nuk do të ketë një marrëveshje armëpushimi në 50 ditë.

Në intervistën nga Zyra Ovale, Presidenti shprehu gjithashtu mbështetjen për NATO-n, aleancë të cilën dikur e kishte cilësuar si të vjetëruar dhe rikonfirmoi mbështetjen për parimin e mbrojtjes së përbashkët, shkruan A2.

Presidenti përsëriti zhgënjimin e tij me shefin e Kremlinit, duke thënë se në 4 raste e kishte bërë të besonte se ishin pranë një ujdie. Më herët, në Shtëpinë e Bardhë, paralajmëroi tarifa prej 100 përqind ndaj Rusisë dhe shteteve që bëjnë biznes me të. 

“Një prej arsyeve përse jemi këtu sot, është për të dëgjuar se jemi shumë të pakënaqur, unë jam shumë i pakënaqur me Rusinë, por për këtë do të flasim më shumë edhe në vijim. Do të vendosim tarifa të ashpra nëse nuk do të kemi një ujdi në 50 ditë. Tarifa prej 100 përqind, ju i quani tarifa sekondare, e dini se çfarë janë”, tha Trump. 

Tarifat sekondare do të shënjestronin vende si Kina dhe India, të cilat nëse produktet e blera nga Rusia do të donin t’i shisnin në SHBA, do ta kishin të pamundur me tarifat e reja. Në krah të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s u njoftua gjithashtu plani për dërgimin e miliarda dollarëve armatime për Ukrainën, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, të cilat do të paguhen nga BE.  

Siç u tha, sistemet Patriot do të mbërrinin shpejt në Ukrainë, pasi shtetet europiane mund të dërgojnë sistemet e tyre për t’i zëvendësuar më pas me të tjera që do t’i blejnë nga Amerika. Rutte theksoi: “Nëse do të isha Vladimir Putin sot dhe do t'ju dëgjoja të flisnit për atë që planifikoni të bëni pas 50 ditësh dhe për këtë njoftim, do ta rishqyrtoja nëse duhet t'i merrja negociatat për Ukrainën më seriozisht. Por, nëse jam Ukraina, mendoj se ky është një lajm vërtet i shkëlqyer për ta”.

Ndërsa në Kiev njoftimi u prit me entuziazëm, reagimi i bursave në Rusi tregoi se Moska nuk e priti me shqetësim lajmërimin. Aksionet u rritën vetëm 2,8%, në një sinjal se vendi dhe investitorët ishin përgatitur për masa edhe më të ashpra nga Trump.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos