Dërgim sinjalesh mes Moskës dhe Uashingtonit

Nga A2 CNN
7 Gusht 2025, 07:18 | Bota

Dërgim sinjalesh mes Moskës dhe Uashingtonit

Sipas palës ruse takimi midis Presidentit Putin dhe të dërguarit të SHBA-së Vitkoff ishte "konstruktiv". Të premten skadon ultimatumi i SHBA-së për armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës

I dërguari i posaçëm i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Vitkoff, u takua me Presidentin rus Vladimir Putin në Moskë. Presidenti Putin e priti negociatorin Vitkofff  në Kremlin. Takimi zgjati rreth tri orë. Këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, i tha pas takimit agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Tass, se kishte qenë një bisedë e dobishme dhe konstruktive. Moska mori sinjale nga SHBA-të në lidhje me luftën në Ukrainë përmes Vitkoff dhe, nga ana tjetër, ia dërgoi sinjale presidentit Trump. Asnjëra palë nuk dha detaje rreth përmbajtjes së bisedës.

"Gjatë bisedës u fol për krizën në Ukrainë dhe  për perspektivën për një bashkëpunim të mundshëm strategjik midis SHBA-së dhe Rusisë."  Pas takimit pati spekulime për një gjest shpërshkallëzimi, si heqja dorë nga sulmet ajrore.

Rusia vazhdon të këmbëngulë tek diplomacia

Rusia duket se ndihet më pak nën presion nga ultimatumi i presidentit amerikan Trump, i cili skadon të premten, sesa vetë presidenti i SHBA-së. Trumpi dëshiron një armëpushim për Ukrainën; përndryshe do të ndëshkojë edhe partnerët tregtarë të Rusisë, si India.

Trumpi sapo nënshkroi urdhërin për tarifa doganore ndëshkuese prej 25 përqind ndaj Indisë. Por të paktën urat midis Moskës dhe Uashingtonit nuk u ndërprenë gjatë tri orëve të bisedimeve. Pak pas përfundimit të tyre, këshilltari i Putinit, Kirill Dmitriev, postoi në platformën X: "Dialogu do të triumfojë!" dhe e falënderoi Vitkoff për vizitën e tij.

Pak shpresë për marrëveshje

Disa komentatorë rusë ishin shprehur skeptikë që para vizitës së të dërguarit të posaçëm të Presidentit të SHBA-së. Fjodor Voitolovski, drejtor i Institutit të njohur të Moskës për Ekonominë Botërore dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, tha në kanalin shtetëror të lajmeve Russia 24: "Shpresa që ne papritmas do të arrijmë një marrëveshje për të gjitha pikat me amerikanët dhe që konflikti në Ukrainë do të zgjidhet është e pabazuar dhe e parakohshme." Strategjia e Putinit është të fitojë kohë dhe të shtyjë armëpushimin, tha Voitolovski. Sipas tij Kievi mund ta arrijë paqen vetëm nëse de facto kapitullon. DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos