Rrjetet sociale po shndërrohen në një mjet të rrezikshëm në duart e karteleve kriminale, të cilat po rekrutojnë të rinj me premtime për fitime të mëdha dhe të shpejta.
Sipas një hetimi gjashtëmujor të CNN, dhjetëra profile anonime në platforma si Facebook, TikTok dhe Snapchat publikojnë shpallje ku ofrohen shuma të majme, nga 5 deri në 10 mijë dollarë në ditë, për punë që duken të padëmshme, si transportimi i personave nga një vend në tjetrin. Në realitet, bëhet fjalë për trafik të emigrantëve.
Një e re nga Phoenix, Arizona, rrëfeu se pas një shpalljeje të tillë iu kërkua të transportonte emigrantë pranë kufirit jugor me Meksikën. Ajo, ndonëse nuk kishte makinë, gjeti dikë tjetër dhe ndau fitimin. Pas disa rasteve të ngjashme, vetë ajo u shndërrua në rekrutuese, duke gjetur shoferë të tjerë dhe mbajtur një pjesë të parave për vete. Dokumentet ligjore tregojnë se ajo ndihmoi në rekrutimin e dhjetëra personave, të cilët transportuan rreth 100 emigrantë drejt veriut të SHBA-së.
Megjithëse u joshën nga fitimi i shpejtë, të rinjtë e përfshirë nuk e kuptuan rrezikun derisa autoritetet amerikane nisën arrestimet. Vetë e reja pranoi fajësinë dhe u dënua me burg për rolin e saj në trafikim.
Autoritetet amerikane, përfshirë DEA-n, paralajmërojnë se pjesa më e madhe e këtyre profileve lidhen me kartele si ai i Sinaloas. Përpjekjet për të bashkëpunuar me kompanitë e rrjeteve sociale po vijojnë, por ekspertët paralajmërojnë se varfëria dhe dëshira për para të lehta po i shtyjnë të rinjtë drejt krimit pa e matur koston. (A2 Televizion)