Këshillimet dyditore në Villa Borsig në Berlin kanë për synim gjetjen e përgjigjeve për reformat e shumta që e presin vendin në ekonomi por edhe përfunksionimin e kabinetit qeveritar.
Qeveria gjermane e CDU/CSU dhe SPD ka vendosur në agjendë forcimin e aftësisë së konkurrencës së kompanive gjermane dhe reduktimin e shpejtë të burokracisë. "Disa kompani janë në gjendje të rëndë dhe kanë probleme të mëdha. Kjo është arsyeja pse duhet të arrijmë rezultate shpejt", paralajmëroi kancelari Friedrich Merz para takimit.
Steffen Bilger, i partisë CDU sheh po ashtu se ka nevojë për veprim: "Bëhet fjalë për hedhjen e themeleve që Gjermania të mbetet një nga kombet kryesore në botë nesër".
Së pari konsultimet, pastaj vendimet
Ditën e parë do të ketë konsultime mes partnerëve. Përveç Kancelarit Merz dhe 17 ministrave, në tryezë do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues nga biznesi dhe shkenca. Ndërsa vendimet konkrete do të merren në ditën e dytë, në të ashtuquajturën agjenda për modernizim.
Sipas Karsten Wildberger, ministër i Ministrisë për Çështjet Digjitale dhe Modernizimin e Shtetit, kjo agjendë do të përfshijë rreth 80 masa. Ato përfshijnë, për shembull, një portal të unifikuar për regjistrimin online të makinave dhe një portal raportimi të burokracisë ku qytetarët mund të paraqesin sugjerime konkrete për përmirësim. Ulja e burokracisë duhet të rezultojë edhe me uljen e shpenzimeve. Kostot nga burokracia do të ulen me rreth 25 përqind - për shembull, përmes reduktimit të planifikuar prej tetë përqind të personelit federal.
Megjithatë, ministri është i vetëdijshëm se reduktimi i burokracisë nuk mund të arrihet menjëherë. "Vendi është i ngatërruar në shumë nyje, ekonomia është prekur nga burokracia për shumë vite, le të themi 20 apo 25 vite," theksoi Wildberger, ndaj ky është një proces që nuk mund të realizohet shpejt.
Kancelari Merz kërkon ndryshime të shpejta. Ai foli për një "vjeshtë reformash".
Por edhe ai është i vetëdijshëm se kjo duhet të vazhdojë hap pas hapi. "Vjeshta e reformave" do të "pasohet nga një dimër, një pranverë, një verë dhe një vjeshtë tjetër me reforma".
Jo më shumë debate
Përveç reformave, koalicioni CDU/CSU dhe SPD i ka vënë vetes një qëllim tjetër: të sigurojë që vendimet të merren sa më lehtë të jetë e mundur, pa grindje midis partnerëve të koalicionit.
Ka pasur shumë fërkime midis CDU/CSU dhe SPD në javët dhe muajt e fundit. Qoftë për heqjen e taksës së energjisë elektrike për të gjithë, qoftë për zgjedhjen e dështuar të gjyqtarëve të rinj për Gjykatën Kushtetuese.
CDU/CSU dhe SPD kanë nevojë urgjente për sinjale të bashkëveprimit. Në fund të fundit, sipas ARD DeutschlandTrend, 77 përqind e qytetarëve u japin partnerëve të koalicionit një notë të dobët për bashkëveprimin. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse ka ardhur koha për konsultimet të përbashkëta për veprim në të ardhmen. DW (A2 Televizion)