Detaje nga konklava për zgjedhjen e Papës së ri, rreth 135 kardinalë kanë të drejtë të votojnë

Nga A2 CNN
29 Prill 2025, 08:37 | Bota
Detaje nga konklava për zgjedhjen e Papës së ri, rreth 135

Pas vdekjes së Papa Françeskut, duhet të zgjidhet një Papë i ri. E ashtuquajtura konklavë, nga radhët e së cilës zhvillohet zgjedhja, është planifikuar të fillojë më 7 maj. Sikurse njoftoi zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, koha deri atëherë do të përdoret intensivisht nga kardinalët në Romë.

Kardinalët e caktuan datën në një takim me dyer të mbyllura, që zhvilluan pas funeralit të Françeskut. Brenda pak më shumë se një jave, kardinalët me të drejtë vote nga e gjithë bota do të mblidhen në Kapelën Sistine, në konklavën që do të zgjedhë Papa i ri.

Në vitet 2005 dhe 2013, konklavat zgjatën nga dy ditë. Gjatë kësaj kohe kontakti me botën e jashtme është rreptësisht i ndaluar.

Rreth 135 kardinalë kanë të drejtë të votojnë

Të drejtë vote kanë të gjithë kardinalët që në ditën e vdekjes së Papa Françeskut nuk e kishin mbushur moshën 80 vjeç. Nga 252 kardinalët aktualë, këtë kriter e plotësojnë rreth 135 syresh. Se sa prej tyre do të marrin vërtet pjesë është ende e paqartë.

Me votat e tyre kardinalët vendosin jo vetëm për udhëheqësin e ri fetar të katolikëve, por edhe për kursin e Kishës. Shumë kardinalë kanë shprehur dëshirën që të vazhdojnë të ndjekin fokusin e Françeskut duke u angazhuar për njerëzit në skajet e shoqërisë dhe për drejtësi sociale. Por midis konservatorëve ka disa që duan që kisha të ndjekë sërish më qartë mësimet thelbësore të katolicizimit, që ishin në fokus edhe nën papët e mëparshëm Gjon Pali II dhe Benedikti XVI./DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos