Takimi ballë-përballë i Donald Trump me Volodymyr Zelenskyn në dy karrige të vendosura në qendër të Bazilikës së Shën Pjetrit me rastin e funeralit të Papa Françeskut ishte ngjarja diplomatike që shënoi ceremoninë e së shtunës në Vatikan.
Ambienti në Bazilikën e Shën Pjetrit ishte surreal. Të dy udhëheqësit ngritën karriget në kishën e shenjtë për të bërë një takim kokë më kokë, shkruan A2. Kamerat i fotografuan ata të rrethuar nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer, teksa skena po përgatitej për takimin e tyre të improvizuar.
Megjithatë, në takim u përpoq të merrte pjesë edhe Presidenti francez Emmanuel Macron, por homologu i tij amerikan e ka nxjerrë “jashtë loje”.
Videoja ku Trump mesa duket i kërkonte Macronit të largohej u bë virale në rrjet dhe një ekspert i leximit të buzëve i rekrutuar nga Daily Mail "lexoi" buzët e Presidentit të SHBA kur kreu i Elysse iu afrua çiftit Trump-Zelenskyy.
Sipas Nicola Hisling, Trump i tha Macronit që të largohej: “Nuk ke të drejtë të jesh këtu, kam nevojë që të më bësh një nder, nuk duhet të jesh këtu”.
Zelensky tund kokën në shenjë dakordësie dhe famullitari, i cili është para kamerës, kthen kokën anash, duke parë i shqetësuar për atë që ka dëgjuar mes tyre.
Eksperti arriti të “deshifrojë” edhe atë që kapën kamerat nga takimi Trump-Zelensky. Sipas analizës së tij, Zelensky i tha Trumpit: "Unë do të doja që ju ta bëni këtë, por jo në këtë mënyrë", ndërsa Presidenti amerikan ju përgjigj: "Është një strategji interesante, ju keni sigurinë time".
Kujtojmë se Shtëpia e Bardhë e përshkroi takimin mes liderit amerikan dhe atij ukrainas si "shumë produktiv", ku Zelensky foli për një bisedë që mund të bëhet "historike". (A2 Televizion)