Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa mbërriti në Nju Jork për të marrë pjesë në takimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kjo vizitë e tij në SHBA shënon pjesëmarrjen e parë të një presidenti sirian që nga viti 1967.
Sharaa - një ish-udhëheqës i al-Kaedës, për “kokën” e të cilit dikur kishte një shpërblim prej 10 milionë dollarësh - shënoi një fitore të madhe diplomatike në maj kur fitoi njohjen nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump në një takim në Riad.
SHBA-të më pas hoqën shumicën e sanksioneve ndaj Sirisë dhe administrata Trump ka shprehur mbështetjen e saj për përpjekjet e Sharaa-s për të bashkuar dhe stabilizuar vendin.
Sharaa pritet të mbajë fjalimin e tij të parë në Asamblenë e Përgjithshme, e cila hap sesionin e saj të 80-të të martën. Po bëhen gjithashtu përgatitje për një takim dypalësh midis al-Sharaa dhe Presidentit Donald Trump në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme, thanë burimet e Al Jazeera.
Një takim midis tij dhe Trump do të tërhiqte vëmendjen për atë që mund të sinjalizohet në lidhje me të ardhmen e lidhjeve midis Damaskut dhe Uashingtonit.
Sharaa dhe zyrtarë të tjerë të lartë u përcollën një mesazh anëtarëve të lartë të administratës amerikane, si dhe figurave të tjera me të cilat ishin takuar së fundmi, duke pohuar se Izraeli dhe Siria ishin në prag të arritjes së një marrëveshjeje sigurie.
"Jemi në prag të një marrëveshjeje sigurie midis Izraelit dhe Sirisë", thanë udhëheqësit sirianë.
Edhe Presidenti sirian deklaroi publikisht ditët e fundit se së shpejti mund të ketë rezultate nga bisedimet e vazhdueshme të sigurisë me Izraelin.
"Pas kësaj marrëveshjeje, mund të arrihen marrëveshje shtesë. Megjithatë, paqja dhe normalizimi me Izraelin nuk janë aktualisht në agjendë", shtoi Sharaa.
Zyrtarët sirianë i thanë administratës amerikane se një marrëveshje mund të bazohet në marrëveshjen e shkëputjes së vitit 1974 të nënshkruar pas Luftës së Yom Kippur. Ajo po ashtu do të përfshijë garanci për sigurinë e komunitetit Druze të Sirisë. (A2 Televizion)